Aktualitet Politikë

Pas mbylljes së shkollës, Meta pret përfaqësues të “Turgut Ozal”: Akt brutal, ndiqni rrugën ligjore!

Pas vendimit për mbylljen e kolegjit privat turk “Mehmet Akif”, sipas ministres së Arsimit, Evis Kushi “si rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit të një sërë shkeljesh të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licensës në fjalë”, Ilir Meta priti përfaqësues të institucionit arsimor “Turgut Ozal”. Kryetari i Partisë së Lirisë tha se i nxiti që “deri në fund të ndjekin rrugën ligjore”.  Meta shtoi se “vendimi antiligjor flet më shumë se mbyllja e një shkolle: ai tregon për rrezikun që i kanoset biznesit të ndershëm në Shqipëri”. Sipas tij, “me këtë akt brutal në nisje të vitit shkollor, qeveria ka traumatizuar qindra vogëlushë dhe familjet e tyre”.

Në lidhje me këtë takim, kreu i PL-së, Meta informon në një postim në Facebook:

Prita sot përfaqësuesit e institucionit arsimor “Turgut Ozal”, një investim privat hollandez, që më shpjeguan në detaje veprimet antiligjore të Qeverisë shqiptare ndaj këtij institucioni arsimor, për të cilat janë njoftuar dhe rasti po ndiqet me vëmendje edhe nga institucionet ndërkombëtare.

Jam i shokuar nga këto fakte të cilat shkatërrojnë sigurinë juridike në vend. Këto akte antiligjore nuk kanë të bëjnë vetëm me një shkollë, por tregojnë rrezikun që i kanoset çdo qytetari, investitori të huaj, biznesi të ndershëm, etj.

Shpreh shqetësimin e madh për këto akte të papranueshme, nisur edhe nga fakti, që ky vendim i Qeverisë merret pasi ka filluar shkolla, duke ndikuar tek fëmijët dhe familjet e tyre, si edhe tek mësuesit.

Jemi një vend që duhet të funksionojë sipas ligjeve, por në këtë rast, shteti ynë ka kryer akte arbitrare brutale dhe të paligjshme, që kanë traumatizuar qindra vogëlushë dhe familjet e tyre. I inkurajova ata të ndjekin deri në fund rrugën ligjore dhe i sigurova se do ta monitorojmë procesin nga afër. Arsimi dhe fëmijët të mos përfshihen e të bëhen viktima të politikës!