Tech

Padi nga kompani të ndryshme mediatike, Spanja bllokon Telegram!

Gjykata e lartë në Spanjë urdhëroi pezullimin e aplikacionit të mesazheve online Telegram për një periudhë të pacaktuar pas padive nga kompani të ndryshme mediatike se në kanalet e kësaj platforme hidhej përmbajtja e tyre pa marrë leje paraprake. Përgjegjës për ndalimin e përdorimit të kësaj platforme janë kompaninë që ofrojnë shërbime celulare.

Gjyqtari Santiago Pedraz pranoi të pezullonte përkohësisht funksionimin e platformës Telegram në Spanjë duke thënë se ky ndalim do të zgjasë deri në përfundim të hetimeve. Telegram është aplikacioni i 4-të më i përdorur në Spanjë sa i përket shkëmbimit të mesazheve dhe përdoret nga 19% e popullsisë atje. Kompania kishte deklaruar në vitin 2023 se kishte më shumë se 700 milionë përdorues aktiv mujor në mbarë botën.

Përgjatë muajve të fundit në vende të ndryshme të botës qytetarët kanë ngritur shqetësimin se në këtë platformë qarkullon përmbajtje e papërshtatshme që cënon privatësinë e personave të tjerë. Telegram nisi të përdorej masivisht në mbarë botën pasi sipas krijuesve të këtij aplikacioni bisedat e bëra aty nuk ruhen dhe nuk përgjohen nga askush.