Bota

Parti e re për kryediplomatin italian Di Maio, tensionet e ndajnë nga Lëvizja “Pesë Yjet”!

Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio largohet nga Lëvizja “Pesë Yjet”, pas disa javësh konfliktesh të brendshme dhe njoftoi krijimin e partisë “Së bashku për të ardhmen”. Ky njoftim vjen pas mosmarrëveshjeve politike me ish-kryeministrin e kryetarin aktual të lëvizjes, Giuseppe Conte lidhur me çështje që përfshijnë dërgesat e armëve në Ukrainë. Conte kërkon zgjidhjen e krizës ukrainase përmes kanaleve diplomatike, jo duke dërguar armë, por 35-vjeçari Di Maio mbështet kryeministrin Mario Draghi, pro armatimeve për të ndihmuar Ukrainën të luftojë rusët. Di Maio deklaroi:

Unë dhe shumë kolegë të tjerë po largohemi nga kjo lëvizje. Do të largohemi nga forca politike që nesër nuk do të jetë më pushteti i parë në Parlament.

Tashmë që u shkëput, duke i dhënë fund tensioneve të vazhdueshme, Di Maio planifikon të marrë me vete mbështetës për të formuar partinë e re “Insieme per il futuro” (“Së bashku për të ardhmen”).

Sipas raportimeve në mediat italiane, 60 ligjvënës nga lëvizja kanë premtuar t’i bashkohen. Lëvizja “Pesë Yjet” është partia më e madhe në parlamentin italian që nga viti 2018 dhe gjithashtu pjesë e qeverisë shumëpartiake të Draghit, pavarësisht se ka pësuar humbje të konsiderueshme në zgjedhjet e fundit lokale në Itali. Di Maio e udhëhoqi L5Y për afro tre vjet deri kur u largua nga posti kryesor në parti, në janar 2020.

E sa i përket ndihmës ushtarake për Ukrainën nga mesi i vendeve që janë pjesë e Bashkimit Europian, Polonia po e furnizon këtë vend edhe me 240 tanke e 100 automjete të blinduara. Këtë e njoftoi sot presidenti Andrzej Duda ku në një takim me ambasadorë bëri të ditur se Varshava ka dërguar sisteme raketore, mitralozë e municione. Në total, Polonia i ka ofruar Ukrainës një ndihmë ushtarake prej mbi 1.6 miliardë dollarësh, me synimin që të ndalojë luftën e të sigurojë, të mos përhapet në territorin polak.