Bota

Pas Japonisë e Italisë, edhe Amerika vendos kufizime për udhëtarët nga Kina!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vendosin kufizime për udhëtarët nga Kina për shkak të rritjes së rasteve me koronavirus. Këtë masë, paraprakisht nisën ta zbatonin Japonia dhe Italia e tani po i bashkohet Amerika. Në vendin aziatik, infektimet janë përhapur me shpejtësi që kur disa javë më parë, Pekini zyrtar vendosi të lehtësoje kufizimet kundër COVID-19/ës, në vazhdën e protestave masive.

Qendra e Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Sëmundjeve ka njoftuar se nga data 5 janar 2023, udhëtarëve në rrugë ajrore që mbërrijnë nga Kina do t’u kërkohet të paraqesin një test negativ të koronavirusit përpara nisjes.

Kjo vlen pavarësisht nga kombësia e udhëtarëve dhe statusi i tyre i vaksinimit kundër koronavirusit. Testi nuk duhet të jetë më i vjetër se dy ditë. Po ashtu, testi është i detyrueshëm për udhëtarët nga rajonet speciale administrative të Kinës, si Hong Kong e Makao. Kjo kërkesë e re vlen edhe për njerëzit që vijnë nga Kina nëpërmjet një vendi të tretë e ata që janë vetëm në tranzit përmes Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Vetëm në tre javët e para të dhjetorit, rreth 248 milion njerëz në Kinë u infektuan me virusin. Por, këto nuk janë informacione zyrtare pasi zyrtaret paraqesin shifra shumë më të ulëta.

Shkencëtarët paralajmërojnë se vala e re mund të krijojë variante të reja, të cilat më pas do të gjejnë rrugën e tyre drejt vendeve të tjera.

Pas gati tre vitesh masash të rrepta, udhëheqja kineze njoftoi befas përfundimin e politikës së saj anti-COVID në datën 7 dhjetor. Kina është vendi ku u konstatuan rastet e para me koronavirus në dhjetor të vitit 2019 e kaluan vetëm pak muaj dhe bota u përball me pandemi e mbyllje: miliona fatalitete e të infektuar.

Kina ishte vendi i vetëm që zgjodhi të vazhdojë politikën e zero rasteve COVID, ndonëse u detyrua të dorëzohej përballë presionit qytetar, më herët këtë muaj.