Bota

Pas presionit, sot fjalimi i shumëpritur i kancelarit Scholz për dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë!

Pas disa javësh hezitim, kancelari Olaf Scholz, sot pritet të njoftojë se qeveria e tij do të miratojë furnizimin me tanke luftarake të prodhimit gjerman në Ukrainë. Dy zyrtarë të Berlinit i thanë Politico-s se gjatë një fjalimi në Parlament, Scholz do të konfirmojë dërgimin e tankeve Leopard 2. Po ashtu, aleatët e tjerë si Polonia, Gjermania do t’i autorizojë të dërgojnë tanket Leopard në Ukrainë.

Scholz këmbëngulte se çdo lëvizje për t’i siguruar Ukrainës tanke të fuqishme Leopard 2 do të duhej të koordinohej ngushtë me aleatët e Gjermanisë, kryesisht Shtetet e Bashkuara. Vendimi erdhi pasi u arrit marrëveshje paraprake që Uashingtoni të dërgonte tanke M1 Abrams për të ndihmuar Kievin. Presidenti ukrainas Zelensky, beson se 300 tanke Leopard do të ndihmojnë në mposhtjen e Rusisë.

Çfarë është Leopard 2?

Krauss-Maffei Wegmann, prodhues i Leopard 2-shit, e cilëson “tankun më të mirë në botë për betejë”, i cili për gati gjysmë shekulli ka kombinuar aspektet e fuqisë, mbrojtjes, shpejtësisë e manovrueshmërisë, duke e bërë të përshtatshëm për shumë lloje situatash të luftimit.

Tanku me peshë 55 tonë ka vend për një ekuipazh prej katër personash, rreze veprimi prej rreth 500 kilometrash e shpejtësi maksimale prej afro 68 kilometrash në orë. Versioni më i hershëm i tankut, i cili tani ka katër variante kryesore, hyri në përdorim në vitin 1979. Arma e tij kryesore është një top 120-milimetërsh, ndërsa ai ka një sistem krejtësisht digjital të kontrollimit të të shtënave.

Një element tërheqës i tankeve të prodhuara nga Gjermania është numri i tyre: më shumë se 2 mijë të tilla janë dërguar në mbi dhjetë vende europiane e në Kanada. Në përgjithësi, Krauss-Maffei Wegmann thotë se mbi 3 mijë e 500 tanke u janë dërguar 19 vendeve.

Rheinmetall AG, një kontraktues gjerman i mbrojtjes, i cili prodhon topin 120-milimetërsh për Leopard 2-shin, thotë se tanku përdoret “nga më shumë shtete se cilido tjetër lloj”.

Sipas një analize të fundit nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, një qendër analitike globale me seli në Londër, rreth 350 Leopardë të versioneve të ndryshme janë dërguar në Greqi, ndërsa Polonia ka rreth 250 të tillë. Finlanda ka 200 në përdorim apo në magazina.