Aktualitet

Pashka Katolike, Imzot Arjan Dodaj: Ringjallja e Krishtit të kthehet në shpresë!

Ndërsa të dielën e 9 prillit besimtarët festojnë Pashkën katolike, sot në Katedralen “Shën Pali” në Tiranë u mbajt një takim i hapur në kuadër të kremtimeve. Në fjalën e tij, Imzot Arjan Dodaj theksoi se paqja nuk vjen asnjëherë nga armët, por vetëm përmes dashurisë për njëri-tjetrin. Po ashtu, kleriku i lartë vuri në dukje se Ringjallja sjell shpresë për të gjithë, për të përballuar çdo vështirësi.

Me ringjalljen e Krishtit, Shqipëria të ketë forcën për të mposhtur “dimrin demografik”, jo vetëm për të përballuar emigrimin, por edhe numrin e ulët të lindjeve. Ndonjëherë mendojmë se mund të dominojmë të keqen duke reaguar me një të keqe më të madhe, por kështu kemi kontribuar për një të keqe edhe më të madhe. Drama e shoqërisë sonë është se e keqja është bërë si diçka normale. Me Ringjalljen, Jezu Krishti na hap dyert e shpresës. Në duelin mes jetës dhe vdekjes, jeta fiton midis forcës e dashurisë. Pashkët janë ftesa për një krijimtari të re!

Në prag të Pashkës Katolike, në sheshin “Nënë Tereza” po në Tiranë, për herë të parë u organizua procesioni i “Udhës së Kryqit”. Me qirinj në duar, një natë më parë, besimtarët katolikë u mblodhën për të Premten e Madhe.

Procesioni udhëhiqej nga Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj së bashku me ambasadorin e Selisë së Shejtë të Vatikanit në Shqipëri, Lugi Bonazzi. Besimtarët demonstruan mundimet e Jezu Krishtit që e dënuan e ia ngarkuan kryqin në shpinë deri në përfundim të rrugëtimit kur dha shpirt dhe u ringjall në të Dielën e Pashkës.

Dhjetëra besimtarë ecën në rrugën e mundimeve të Krishtit, një pjesë e tyre duke mbajtur kryqe të rëndë prej druri. Udha e Kryqit u përshkua duke ndjekur 14 Stacionet e rrugës së mundimit të Jezu Krishtit. E Premtja e Madhe apo e Premtja e Zezë është dita kur kujtohen vuajtjet dhe vdekja e Krishtit. Pashka është festa e Ringjalljes së Tij nga të vdekurit.