Aktualitet

Për klasat e para e të dhjeta, regjistrimet përmes e-Albanias/Për klasat e para hapen sot!

Për në klasën e parë dhe atë të dhjetë, regjistrimet e nxënësve bëhen nga platforma e-Albania, duke nisur nga dita e sotme për më të vegjlit e që ulen për herë të parë në banka. Një vit më parë, kjo mënyrë regjistrimi u aplikua vetëm në 182 shkolla, ndërsa këtë vit do të përfshijë të gjitha shkollat e vendit tonë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi njoftoi datën e hapjes së portalit dhe nisjen e aplikimeve për fëmijët e klasave të para. Duke iu drejtuar prindërve e mësuesve, ministrja Kushi shprehet:

Nisur nga përvoja e vitit të kaluar për pilotimin e regjistrimit elektronik të nxënësve në shkollat e qyteteve qendër qarku, si dhe duke reflektuar të gjitha sugjerimet e ardhura për përmirësimin e procesit, këtë vit ja dolëm që në të gjitha shkollat e Shqipërisë, regjistrimi në klasën e parë dhe atë të dhjetë, të bëhet nëpërmjet sistemit e-Albania.

Prindërit do të mund ta regjistrojnë fëmijën në vetëm një minutë, pa pasur nevojë të dorëzojnë dokumente shtesë, të presin në radhë apo të harxhojnë kohë dhe energji.

Afatet e regjistrimit janë si më poshtë:

Për klasat e para nga data 4 deri më 17 korrik.

Për klasat e dhjeta, në datat 12-24 korrik.

Më tej, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi shkruan për regjistrimin e fëmijës, sipas vendit të banimit.

Ne jemi të angazhuar maksimalisht, që të gjitha shkollat tona të ofrojnë arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe të barabartë për nxënësit, si në qendër ashtu edhe në periferi të çdo bashkie. Prandaj e vlerësojmë shumë mirëkuptimin tuaj, për të regjistruar fëmijët në bazë të vendbanimit.

Aplikuesit duhet të mbajnë parasysh disa hapa:

Çdo prind apo kujdestar ligjor, pasi të hyjë në llogarinë e tij në portal, duhet të plotësojë formularin e aplikimit, të përzgjedhë me saktësi njësinë administrative, si edhe rrugën e shkollën që shfaqet në sistem.