Rajoni

Presidenti serb, Vuçiç me ambasadorët e QUINT-it: Më mirë të mos them gjë!

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç shmang komentet pas takimit me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it. Në Instagram shkruan:

Kam marrë vendim që të mos them asnjë fjalë për takimin me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it dhe me shefin e delegacionit të BE-së në Serbi. Mendoj se është më mirë për të gjithë.

Sot ai takoi përfaqësuesit e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, si dhe kreun e delegacionit të Unionit. Takimi vjen një ditë pasi Policia e Kosovës arrestoi serbbin Milun Milenkoviç-Lunet, në veri.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha se Milenkoviç ishte një nga organizatorët e sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe policisë. Tensionet në veri u shtuan në fund të majit kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët e rinj shqiptarë të hynin në ndërtesat komunale.

Në veri, tensionet janë rritur që nga 26 maji kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç që të vendosen në objektet komunale, pavarësisht rezistencës së banorëve atje.

Tensionet kulmuan më 29 maj kur serbët u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përplasjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët. Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, në votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.

Komuniteti ndërkombëtar fajëson Kosovën për situatën e krijuar në veri. Bashkimi Europian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të shpërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga qeveria në uljen e tensioneve.

Sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet e nivelit të lartë dhe të vizitave dypalëshe nga Bashkimi Europian e vendet anëtare.

Takime do të ketë vetëm kur duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.