Pas 12 ditëve, lirohen tre policët kufitarë të Kosovës, që mbahen në Serbi prej datës 14 qershor, kur sipas Beogradit u arrestuan në territor serb, ndërsa Prishtina thotë se u rrëmbyen pranë Leposaviçit, në pjesën e Kosovës.
Vendimi për Rifat Zekën, Beqir Sefin dhe Mustafë Shemin u dha sot në përfundim të seancës gjyqësore të radhës në Kralevë të Serbisë ku duket se presioni ndërkombëtar dha rezultat.
Lirimi i policëve ishte kryefjalë e zyrtarëve ndërkombëtarë në kërkesat drejtuar Beogradit. Edhe kryeministri Rama paralajmëroi zero marrëdhënie me Serbinë, nëse nuk reagonte për lirimin e policëve të Kosovës.
Rasti i tyre thelloi tensionet në veriun e Kosovës dhe që janë të forta prej 26 majit kur nisën protestat e serbëve në komunat Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok kundër hyrjes së kryetarëve shqiptarë në godinat komunale. Më 29 maj pati përplasje të ashpra mes protestuesve e trupave të KFOR-it e dhjetëra vetë u lënduan nga të dy palët.
Disa ditë më parë, po gjykata e Kralevës iu caktoi tre policëve një muaj paraburgim për armëmbajtje të paligjshme.
Ditët e fundit, Kosova po njofton arrestime të serbëve të dyshuar për akte dhune dhe trafik armësh e mjetesh shpërthyese. Për Serbinë, kjo tregon se kryeministri Kurti “nuk dëshiron paqe”.
Kryeministri Rama sot udhëton drejt Brukselit, për të takuar kreun e Këshillit Europian. Në kryeqendrën europiane shkon me ftesë të Charles Michel-it. Ende nuk dihen temat e diskutimit, por në fokus pritet të jenë tensionet mes Kosovës e Serbisë, si dhe gjetja e rrugës për normalizimin e dialogut Prishtinë-Beograd. Ky takim vjen pas propozimit të draft-asociacionit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian sot diskutojnë dialogun Kosovë- Serbi, si dhe tensionet e fundit mes dy vendeve. Mësohet se kryediplomatët do të kenë “shkëmbim të mendimeve rreth bisedimeve, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës”. Pritet që para tyre të raportojë kryediplomati i BE-së, Josep Borell dhe më pas të vazhdojnë diskutimet mbi temën. Por, nuk priten konkluzione apo vendime formale.
Situata në Kosovë dhe dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja do të jenë temë diskutimi edhe në disa takime të tjera të nivelit të lartë në BE, këtë javë. I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kreu i Drejtorisë për Zgjerimin në KE, Jan Koopman, nesër do të marrin pjesë në një diskutim në Parlamentin Europian për zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës e Serbisë.