Celebrities Live From Tirana

Psikologia Anisa Zaçe tregon në TAR se cila është mosha që preket nga dezinformimi dhe si ndikojnë teoritë konspirative tek të gjithë ne!

Sot e ftuar në “Live From Tirana” ishte psikologia e njohur Anisa Zaçe. Ajo ka diskutuar dhe ka ndarë me të gjithë dëgjuesit çdo informacion në lidhje me dezinformimin në përditshmërinë tonë dhe se si ndikon kjo gjë jo vetëm tek të rinjtë por tek të gjitha grupmoshat.

Media ka qenë gjithmonë një mënyrë e mirë për ta gënjyer masën. Sado që zhvillohet përsëri nuk ulet mundësia për desinformim, përkundrazi shtohet. Ende në botë nuk ka një ligj në lidhje me këtë. Është shumë e vështirë për ta kuptuar informacionin e saktë në ditët e sotme.

A mund të themi se në periudha kaotike si kjo e luftës tani apo edhe pandemia më parë kanë ndikuar në lidhje me këtë?

Qënia njerëzore nuk ka ndryshuar shumë. Për shembull në komunizëm ne besuam se ishim shumë të zhvilluar. Aq e thjeshtë ishte për të gënjyer masën. Kjo botë ka nevojë për gazetarë të mirë. Është më e lehtë të gënjesh masën sesa një individ të vetëm. Por edhe pse media drejtohet nga humanët ajo përsëri bëhet pjesë e desinformimit. Ndonjëherë bëhet pjesë edhe qëllimisht për faktin edhe se e ka informacionin e saktë.

Gjatë kësaj kohe sidomos vitet e fundit kemi parë një shtim shumë të madh të teorive konspirative, pra ato janë globalizuar në një lloj forme. Çfarë mendimi keni ju në lidhje me këtë?

Normalisht që në ditët e sotme çdo gjë është globalizuar sepse çfarë besohet në Amerikë besohet edhe këtu apo çfarë përgënjeshtrohet në Australi mund të përgënjeshtrohet edhe në Romë.

Cila moshë bie më shumë pre e tyre?

Çuditërisht mbi të 40-at. Të rinjtë e sotëm kanë informacione të pafundme. Ata hyjnë në botën e madhe të internetit. Janë të hapur edhe ndaj faktit që edhe pse e lexojnë se dinë se sa e saktë dhe sa e vërtetë mund të jetë. Ndërsa moshat e tjera nuk e kanë edhe aq të qartë se kush janë portalet kryesore. Janë edhe titujt e ndryshëm që ndikojnë kur thuhet se “Psikologët thonë…” apo “Studimet thonë se….”.

Cilat ishin sipas teje disa nga teoritë konspirative që mund t’i cilësosh edhe si të çuditshme pse jo?

Në fillim gjatë pandemisë thuhej se shifrat nuk janë reale dhe në të gjithë e besuam këtë. Një tjetër ishte që thuhej se është një gjë e shpikur për pleqtë në Itali sepse ata marrin shumë pension. Vaksinat me çip gjithashtu. Kush do të harxhonte aq shumë për të të ndjekur ty. A thua se ne nuk mbajmë në dorë gjatë gjithë ditës një çip. Na u duk vetja si shumë të rëndësishëm.