Gossip Music Showbiz

Publiku brohoret “Palestinë e lirë”, tensione gjatë provës së Izraelit në Eurovizion!

Eurovision 2024 tashmë ka finalistët e saj, të cilët më 11 maj do të konkurrojnë për vendin e parë në skenën më të madhe të muzikës evropiane. Këngëtarja Besa Kokëdhima pavarësisht një performance dinjitoze nuk arriti të çojë Shqipërinë në finale. Në gjysmëfinalen e dytë aktualisht dihen 16 finalistët, ku 10 vende kaluan gjysmëfinalen e dytë që ishin Letonia, Austria, Holanda, Norvegjia, Izraeli, Greqia, Estonia, Zvicra, Gjeorgjia, Armenia.

Siç pritej, prova e përfaqësueses së Izraelit, Eden Golan për gjysmëfinalen e dytë të Eurovisionit nuk mori reagime pozitive. Këngëtarja, e cila garoi e 14-ta me këngën ‘Uragan’, mori brohoritje të forta, ku shumë nga publiku brohorisnin sloganin ‘Palestinë e lirë’. Të bërtiturat nuk pushuan asnjë moment.

Në të njëjtën kohë, u ngritën flamuj dhe simbole pro Palestinës, të cilat janë ndaluar nga autoriteti organizator EBU. Parashikimet e deritanishme tregojnë se Izraeli jo vetëm që do të kalojë në finalen e madhe të së shtunës, por është edhe në dhjetëshen e parë të finales. Kënga “Hurricane” është një baladë që tregon historinë e një gruaje që po përjeton një krizë personale.

Këngëtares iu kërkua të qëndronte në dhomën e saj të hotelit, përveç momentit kur performon. Si pasojë e protestave pro-palestineze dhe ngjarjeve që mund të ndodhin në qytetin Malmo, Golan u këshillua të qëndrojë jashtë vëmendjes. Policia suedeze është në gatishmëri të lartë dhe ka kërkuar ndihmë edhe nga Danimarka dhe Norvegjia për konkursin më të madh të muzikës në Evropë, i cili po rezulton të jetë një nga edicionet më kontroverse kryesisht për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.

Ka pasur thirrje për bojkotim të ngjarjes dhe më shumë se 1,000 artistë suedezë kërkuan që Golan të mos lejohej të marrë pjesë, ashtu si edhe 1,400 punonjës të industrisë së arteve në Finlandë. Organizatorët kishin kërcënuar të përjashtonin Izraelin nëse Golan nuk do ta rishkruante tekstin e këngës së saj ‘October Rain’, pasi i gjetën vargjet e tekstit si shumë të ngarkuara politikisht e njohur gjerësisht si referencë për sulmet e 7 tetorit të Hamas. Kënga u modifikua dhe u riemërtua si ‘Hurricane’, duke siguruar kështu pjesëmarrjen e saj.