Aktualitet

Qytetarët të pakënaqur me sjelljen e policisë, 21 efektivë në Prokurori vetëm gjatë muajit janar 2022!

Qytetarët vazhdojnë të jenë të pakënaqur me punën e Policisë, duke denoncuar shumë prej tyre në SHÇBA dhe Prokurori. Vetëm gjatë muajit të parë të këtij viti, 21 efektivë janë dërguar në Prokurori nga SHÇBA, ndërkohë që 4 policë janë arrestuar për kryerjen e veprave penale.

Struktura për të cilën ka më shumë ankesa është Policia e rendit. Sjellja e punonjësve të Policisë në raport me qytetarët mbetet problematike, pasi 21 efektivë janë denoncuar në Prokurori gjatë muajit janar 2022. Referimet kanë ardhur pas ankesave të qytetarëve, por edhe pas hetimeve, të cilat janë ndjekur nga SHÇBA, e cila ka gjetur edhe shkeljet e punonjësve të rendit.

Po ashtu, përgjatë muajit të parë të vitit, 4 efektivë të Policisë kanë përfunduar në pranga, ku 2 prej tyre ishin me urdhër nga gjykata, e ndërsa 2 të tjera kanë qenë arrestime në kushtet e flagrancës. Po gjatë hetimeve për zbulimin e ngjarjeve, kanë rezultuar se edhe 2 efektivë janë përfshirë si autorë në këto krime, duke u shpallur në kërkim.

Në zyrat e SHÇBA-së kanë mbërritur të paktën 300 telefonata, ndërkohë që janë trajtuar 169 prej tyre. Në këto thirrje, qytetarët janë ankuar më shumë ndaj efektivëve të Policisë së Rendit, me 84 SMS e ndërsa pas tyre renditet Policia Rrugore, me 42 ankesa, 34 ankesa ka pasur efektivët e Hetimit të Krimit, 4 kanë qenë për Burimet Njerëzore, e ndërsa 3 ankesa kanë qenë për efektivët e Kufirit dhe Emigracionit. Pastrimi i trupës policore nga këto efektivë ka qenë edhe një premtim i dhënë nga drejtori Gledis Nano në momentin që ai mori drejtimin e Policisë së Shtetit.