Aktualitet

Rama dhe Basha në Elbasan për Ditën e Verës, përplasen fizikisht militantët e PS-PD/së

Dita e Verës ku Elbasani ka ekskluzivitetin e festimeve është shënuar sot nga një incident në këtë qytet. Disa persona, për të cilët raportohet se janë simpatizantë të partive Socialiste e Demokratike u përfshinë në një përplasje fizike. Por ndërhyrja e policisë që shoqëroi disa prej tyre shmangu përshkallëzimin e situatës. Me rastin e Ditës së Verës, në Elbasan gjenden si kryeministri Rama ashtu dhe kryedemokrati Basha, të cilët nuk shmangën komentet rreth këtij incidenti. Rama e cilësoi “shembull të degradimit të opozitës”.

Tash 20 vjet që vij në Ditën e Verës në Elbasan, s’kisha parë një turmë ulëritëse me flamuj partie, si ai automobili zhurmues i filmit “Koncert në vitin 36”. Dukeshin si 100 kopje të Ilir Metës, ndërsa Luli kishte parkuar makinën në korsinë e biçikletave e ishte fshehur mes tyre! Kjo shfaqje vulgare është një tjetër shembull i degradimit të një opozite demode, e cila ka në krye një kukull në duart e Saliut dhe Ilirit, që duan sherr e përçarje, për të marrë peng Shqipërinë e drejtësinë. Keqardhje e madhe për PD-në e kthyer në vegël të dy hallexhinjve të drejtësisë!

Lulzim Basha foli kundër dhunës e kishte një mesazh për Ramën.

Mos të ndjekim axhendën e dhunës! Më thanë se pati një incident.  E kemi ditë feste me qytetarët Elbasanit. Shqipëria dhe Elbasani janë ndalur shumë këto vite. Kjo është ditë feste dhe është dita kur Shqipëria duhet të ndalojë. Ky vend është mbajtur në vend numëro nga ata që ushtruan dhunë sot. Ishte tentativa e tyre për ta prishur festën e qytetit të Elbasanit. Qytetarët mezi presin ditën e ndryshimit. Mos guxo të kërcënosh qytetarët e Elbasanit me banditët! Kjo është një ditë e shpresës, ku vera e mposht dimrin. Nuk e dija që edhe kryeministri kishte të njëjtin orar. Unë jam shoqëruar nga familjet intelektuale të Elbasanit, Rama shoqërohej nga banda. Thirrja ime është kundër dhunës. Dhunën e provokojnë ata që e kanë mbajtur Elbasanin 8 vite peng.