Aktualitet Travel

Rama: Lumi i Shalës, spektakël i ngjyrave dhe relievit!

Në rrjetet sociale, sot kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të publikojë pamje nga Lumi i Shalës e që nga shumë turistë të huaj përshkruhet edhe si “Tajlanda e Shqipërisë”.

Pamje nga peizazhet që Lumi i Shalës krijon në zonën e Shoshit të Dukagjinit, një spektakël i ngjyrave dhe i relievit, por edhe një atraksion turistik për të cilin flasin të gjithë, shprehet Rama krahas videos së publikuar.

Ngjyra e kaltër e ujit dhe kthjelltësia janë karakteristika të këtij lumi të rrethuar me shkëmbinj të thepisur e të veshur nga pemë e bimë të gjelbra. Lumi i Shalës buron në Parkun Kombëtar të Thethit dhe përshkon luginën e Shalës për rreth 25 km duke u derdhur në liqenin e Komanit.

Vitet e fundit ky liqen është kthyer në një prej destinacioneve më të frekuentuar në veriun e Shqipërisë. I izoluar nga majat e larta, rrjedha e vrullshme e ujit të kaltër të Shalës, ofron për turistët një panoramë të magjishme mes natyrës së paprekur dhe mundësive të shumta që ofron, ndërsa është përfshirë edhe në gudiat e agjencive turistike.

Aventurierët e natyrës mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës.

Shala rrjedh brenda Alpeve Shqiptare në Shqipërinë e veriut. Burimi i këtij lumi është në Alpet Shqiptare, në afërsi të fshatit Theth, jo larg kufirit me Malin e Zi. Përgjithësisht, rrjedh në jug përmes njësive komunale Shalë, Shosh e po ashtu Temal. Derdhet në rezervuarin e Komanit, ushqehet e kullohet nga lumi Drin, pranë fshatit Telum.

Eshtë falë vendodhjes mes maleve të pjesës veriore, që ajri rreth lumit, si dhe uji i tij kanë një pastërti të qartë e janë rigjenerues. Ndër të tjera duhet thënë se edhe pse dimri është i acartë e i egër, befasisht, stina e verës është e ngrohtë dhe kurrë nuk bën ftohtë. Aty në zemër të zonës gjeologjike të Alpeve shqiptare, lumi i Shalës karakterizohet edhe nga masivë gëlqerorë të zinj, për t’u mbajtur parasysh.