Aktualitet

Rama: Së shpejti do të nisë vaksinimi masiv anti-COVID në vend!

Kryeministri Rama konfirmoi se së shpejti do të nisë vaksinimi masiv anti-COVID për popullatën në vend, ndërsa bluzat e bardha e mbyllin këtë proces brenda 15 ditëshit të parë të marsit. Kreu i qeverisë konfirmoi edhe ambicien e  Shqipërisë për të siguruar doza shtesë të vaksinës anti-COVID nga shtete mike.

Në mjediset e posaçme në stadiumin Air Albania në Tiranë, po kryhet doza e dytë e vaksinimit për personelin mjekësor të QSUT-së, dhe të disa spitaleve bashkiake. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu pohoi se do të jenë më shumë se 500 mjekë dhe infermierë që do ta përfundojnë sot procesin.

Manastirliu theksoi se është intensifikuar puna, me qëllim përmbylljen sa më parë të vaksinimit për bluzat e bardha, për të vijuar me pas me të moshuarit mbi 80 vjeç. Kjo grupmoshë do të vaksionohet me planifikim dhe njoftim të datave nga mjeku i familjes.

Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu theksoi se procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga një ekip i trajnuar. Deri tani janë vaksinuar 5612 mjekë dhe infermierë me dozën e parë, ndërsa 655 personel shëndetësor i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.

Që nga fillimi i vaksinimit janë kryer në total 6728 vaksina anti-COVID në vendin tonë.