Bota

Rreth 1100 të vdekur nga vala e të nxehtit ekstrem në Europë

Numri i të vdekurve për shkak të temperaturave ekstreme në Europë ka kaluar 1.100 ndërsa vazhdojnë valët e të nxehtit, temperaturat rekord dhe zjarret, sipas mediave të huaja.

Britania e Madhe nuk është i vetmi vend që po përballet me të nxehtin ekstrem, pasi një pjesë e madhe e Europës po lufton gjithashtu me kushte ekstreme të motit. Në Francë, Greqi, Portugali dhe Spanjë, mijëra persona janë evakuuar.
Franca ka shtuar angazhimin në betejën me zjarret, duke vënë në përdorim një numër të madh avionësh cisternë e duke nxjerrë në terren me qindra zjarrfikës teksa vatrat e flakëve ushqehen nga erërat e forta dhe vala e të nxehtit që ka pushtuar pjesën më të madhe të Europës.

Ndryshimi i drejtimit të erërave ka shtyrë autoritetet në jugperëndim të vendit të hartojnë plane të reja për evakuime masive në disa qytete. Lëvizja e parë do të jetë zhvendosja e 3500 personave më të rrezikuar në rrugën e flakëve që nuk po vihen dot nën kontroll.

Tre avionë të tjerë çisternë iu bashkuan flotës së përfshirë në luftën me flakën njoftoi Ministria e Brendshme franceze, duke theksuar se mbi 200 përforcime po i shtoheshin gjithashtu gjithashtu forcës prej 1500 trupash të zjarrfikësve që luftojnë natë e ditë për të frenuar zjarret në pyjet me pisha të thata të rajonit Gironde, të cilat gjithashtu po dërgojnë prush të ndezur në ajër duke bërë që flakët të përhapen kështu gjithmonë e më shumë.

Europa po përballet me një valë të nxehti ekstrem që ka sjellë me qindra vdekje për shkak të temperaturave rekord. Të paktën 748 vdekje të lidhura me të nxehtin janë raportuar në Spanjë e Portugalinë fqinjë ndërsa temperature “vlimi” po regjistrohen edhe në Britaninë e Madhe. Në Zamora të Spanjës, të paktën dy persona humbën jetën nga zjarret që detyruan evakuimin e qindra të tjerëve.

“Ishte tym gjithandej, një tym i zi i tmerrshëm u errësua gjithcka. Pashë një dritë jashtë dhe mendova se po digje makina, por kur hapa derën u gjenda përballë flakëve që kishin hyrë në oborrin tonë“, shprehet Mercedes Pilo Cardoso.

Pamjet e një treni në Spanjë që rrethohet në të dy anët nga flakët, kanë bërë xhiron e botës, duke u kthyer në një dëshmi rrënqethëse të situatës kritike me të cilat po përballen banorët e zonave të prekura atje.

Disa nga zjarret më të rënda që janë parë deri tani ishin në Portugali, ku piloti i një aeroplani zjarrfikës vdiq të premten pasi aeroplani i tij u rrëzua gjatë një operacioni në verilindje. Ky ishte fataliteti i parë i lidhur me zjarret në këtë shtet. Flakët kanë lënduar atje më shumë se 160 vetë këtë javë dhe kanë detyruar qindra të evakuohen.

Shumë prej vatrave janë në terrene të thyera kodrinore, ç’ka e bën të vështirë qasjen e ekipeve nga toka. Sezoni i zjarreve ka goditur disa pjesë të Europës më herët se zakonisht këtë vit pas një pranvere jashtëzakonisht të thatë dhe autoritetet thonë se në këtë ndryshimi i klimës ka luajtur një rol të rëndësishëm.