Bota

Zjarret në Mesdhe, vazhdojnë evakuimet!

Franca ka evakuuar mbi 16 mijë persona të rrezikuar nga zjarret në jugperëndim të vendit, ndërsa edhe Spanja, Kroacia e Greqia po përballen me flakët. Në rajonin francez, Zhironde, autoritetet larguan rojet në kampet e turistëve, pasi paraprakisht u evakuuan edhe turistët. Zjarret janë përhapur gjithashtu në zonat Test-de-Buh e Landira.

Në jug të Spanjës, mbi 3 mijë e 200 persona braktisën e më pas u rikthyen në shtëpitë e tyre, pranë kodrave të Mijas që gjenden jo larg zonës turistike Malaga. Në territorin spanjoll, flakët u përhapën edhe në Kastilla i Leon, Galci e Ekstramadura. Në Portugali, zjarret janë vënë nën kontroll. Ditët e fundit, mbi 1 mijë vdekje i janë atribuuar të nxehtit në këtë vend e në Spanjë.

Në gjithë Mesdheun, nga Maroku në perëndim dhe në Kretë në lindje, mijëra zjarrfikës e shumë avionë janë dislokuar në një rajon që prej rreth një jave po vuan nga temperaturat e larta.

Franca dhe Britania përgatiten për temperatura rekord

Franca dhe Britania janë në gatishmëri të lartë pasi pritet të përballen me temperatura ekstrem. Meteorologët parashikuan se 15 zona në Francë do të “përvëlohen” nga i nxehti ndaj është shpallur gjendje alarmi. Në Britaninë e Madhe, qeveria kritikohet se ka dështuar ta trajtojë seriozisht emergjencën e temperaturave të larta.

Shkencëtarët fajësojnë ndryshimet e klimës për valën e të nxehtit dhe parashikojnë se do të ketë episode më të shpeshta e më intensive të motit ekstrem, si valët e të nxehtit e thatësira. Sipas sinoptikanëve, temperaturat në jug të Francës, sot do të arrijnë mbi 42 gradë velsius. Ndërkaq, Britania pritet të përballet me temperatura deri në 40 gradë, pra vlera rekord.

Për shkak të të nxehtit ekstrem, 11 mijë hektarë pyje janë djegur në Francë, ndërsa Spanja numëron 20 vatra jashtë kontrollit në pjesë të ndryshme të vendit, duke shkatërruar të paktën 4 mijë e 500 hektarë tokë. Ministria e Brendshme e Francës po dërgon avionë shtesë dhe zjarrfikës në pjesët më të prekura nga i nxehti apokaliptik. Temperaturat më të larta me të cilat po përballet Europa, më 14 korrik shënuan rekord në Portugali, ku termometri shënoi 47 gradë celsius.