Bota

Rusia nis sulme të pazakonta ajrore gjatë ditës në Kiev!

Disa shpërthime tronditën Kievin, ndërsa forcat ruse kryen sulme të pazakonta ajrore gjatë ditës në kryeqytetin ukrainas, vetëm disa orë pasi e kishin bombarduar edhe gjatë natës, për të 15-ën herë prej fillimit të muajit maj.

Sulmi i dukshëm në qiejt mbi kryeqytetin ukrainas, filloi menjëherë pasi sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në orën 11:00 të paradites me atë lokale në Kiev, duke bërë që shumë njerëz të kërkonin strehim në stacionet e metrosë e gjithashtu nëpër bodrume. Burime nga terreni raportuan:

Shpërthimet mund të shiheshin në qiell nga disa vende të qytetit, përfshirë qendrën e Kievit. Shpërthimet ndezën alarmet e makinave në të gjithë qytetin dhe mund të dëgjoheshin zhurma të forta, ndoshta edhe nga raketat që u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ukrainase.

Dëshmitarët në vendngjarje thanë se dëgjuan të paktën dhjetë shpërthime në Kiev, teksa qielli mbi qytet u mbush me re tymi. Administrata ushtarake e kryeqytetit deklaroi se mbrojtja ajrore rrëzoi të 11 raketat Iskander të lëshuara nga Rusia në Kiev gjatë sulmit të orëve të ditës. Por, nuk arrihet të verifikohet ky pretendim në mënyrë të pavarur.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, u bëri thirrje banorëve të strehohen, duke thënë se “sulmi në Kiev vazhdon”.

E përforcuar nga pajisjet e sofistikuara të furnizuara nga Perëndimi, mbrojtja ajrore e Ukrainës ka arritur të pengojë sulmet ajrore ruse si ato me dronë, ashtu edhe raketat e avionëve.

Rusia i ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë në Ukrainë, pas një periudhe prej gati dy muajsh më të qetë, duke sulmuar objektet dhe furnizimet ushtarake disa herë në javë. Kievi u sulmua edhe gjatë natës, ndërsa një natë më parë, më 28 maj, pësoi atë që po përshkruhet si vala më e madhe e sulmeve ajrore me dronë nga forcat ruse. Lufta e Rusisë në Ukrainë vijon prej 24 shkurtit të vitit 2022.