Sociale

Sëmundja e “lëvizjes”, si ta parandaloni kur udhëtoni me makinë apo avion

Njihet me termin “sëmundja e lëvizjes” dhe përshkruan të gjitha simptomat – si të përziera, të vjella, marramendje, djersë të ftohta, dhimbje koke etj, të cilat përjetohen gjatë udhëtimeve me makinë, autobus, tren, avion apo anije.

Kjo gjendje shqetësuese shkaktohet nga sinjalet konfuzuese. Për shembull, kur udhëtoni me avion, ju nuk e shihni turbulencën, por e ndjeni. Konfuzioni në tru shkakton të përziera ose të vjella.

“Sëmundja e lëvizjes” trajtohet me barna që vetëm parandalojnë shfaqjen e simptomave. Shumica e njerëzve që përjetojnë simptomat janë të vetëdijshëm që mund të shfaqen gjatë udhëtimeve.

Për t’i parandaluar, planifikoni të rezervoni një udhëtim disa ditë para. Nëse udhëtoni me avion, kërkoni për një vend afër dritares ose shmangni uljen në mes. Në trena, anije ose autobusë, uluni përpara dhe përpiquni të mos ktheni kokën pas.

Në anije, kërkoni për një kabinë sa më afër nivelit të detit dhe nëse është e mundur, siguroni ajër të pastër. Në të gjitha rastet, shmangni leximin.

Të uleni para në makinë shpesh ndihmon. Shumë njerëz që përjetojnë këtë gjendje si pasagjer, nuk kanë simptoma kur drejtojnë vetë automjetin.

Është e rëndësishme të pushoni shumë natën para se të udhëtoni dhe të shmangni konsumin e alkoolit. Dehidratimi, dhimbja e kokës dhe ankthi përkeqësojnë simptomat.

Hani mirë në mënyrë që stomaku të qetësohet. Qëndroni larg ushqimeve të yndyrshme ose me acid para dhe gjatë udhëtimeve.

Shumë ekspertë thonë se aroma si mente, limon dhe xhenxhefil ndihmojnë. Efektiviteti i tyre nuk është provuar nga shkenca, por sidoqoftë mund t’i provoni.