Lifestyle

Kafeina mund t’ju shpëtojë nga dhimbja e kokës?

Kafeina, e pranishme natyrshëm në kafe, çaj dhe disa ilaçe, nuk është vetëm “zgjues” për trupin dhe trurin, ajo mund të ndihmojë edhe në lehtësimin e dhimbjeve të kokës, sidomos kur përdoret siç duhet.

Sipas studimeve, kafeina mund të ulë dhimbjen e kokës duke ngushtuar enët e gjakut në tru dhe duke rritur efektin e qetësuesve të dhimbjes si paracetamoli dhe aspirina.

Një sasi e moderuar prej rreth 100–150 mg kafeinë, afërsisht sa një filxhan kafe, mund të jetë e dobishme për dhimbjet e kokës nga tensioni ose për migrenat në fazat e para.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kafeina është “mik” vetëm kur përdoret me kujdes. Konsumi i tepërt mund të sjellë efekt të kundërt: dhimbje koke nga varësia ose nga ndërprerja e papritur e saj.

Prandaj, sidomos te personat që vuajnë nga migrena, këshillohet që të vëzhgohet se si trupi reagon ndaj kafeinës dhe të mos teprohet me të.

Kafeina rezulton më efektive kur merret në kombinim me ilaçe kundër dhimbjes, por gjithmonë sipas këshillës së mjekut ose farmacistit, pasi çdo organizëm reagojnë ndryshe.

Mjekët kujtojnë se kafeina nuk është zgjidhja e vetme. Gjumi i rregullt, hidrimi i mirë dhe ushqyerja e ekuilibruar mbeten faktorë kyç në parandalimin e dhimbjeve të kokës.

Në rast se dhimbjet janë të shpeshta, të forta ose të pazakonta, rekomandohet konsultë mjekësore për të gjetur shkakun dhe trajtimin e duhur.