Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Aktualitet

Situata në Rinas, Prokuroria e Tiranës lëshoi urdhëra ndalimi për tre kontrollorë të trafikut ajror

Pas kallëzimit penal të AlbControl-it ndaj disa kontrollorëve të trafikut ajror, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për rastin e paprecedentë të bllokimit të Aeroportit të Rinasit. Këto hetime janë adresuar për “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Armando Fezga, kryetar i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Flora Ndreca dhe Muhir Mezini janë ndaluar me urdhër të Prokurorisë, e cila i akuzon për “Shpërdorim detyre, të kryer në bashkëpunim”. Pritet që brenda 48 orëve të dalin para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë që do të kërkohet nga Prokuroria.

Ndërkaq, gjatë natës, policia shoqëroi 28 kontrollorë të AlbControl-it. Ata dhe të tjerë kolegë deklaruan në bllok paaftësinë për të vijuar punë, për shkak të stresit.

Duke folur për mediat, para mjediseve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, avokati i kontrollorëve të trafikut ajror, Rezart Kthupi deklaroi:

Shpërdorimi i detyrës është vepër penale që ekskluzivisht iu referohet punonjësve publikë. Kjo do të thotë se duhet të jesh punonjës i administratës publike. Në rastin e kontrollorëve, ende nuk e di cili është arsyetimi që bën Prokuroria për ta futur në elemente të veprës penale “Shpërdorim detyre” pasi Albcontrol është Sh.A, entitet tërësisht i pavarur nga shteti shqiptar. “Nuk ka një funksion publik mbi të cilin të ngrihet kjo akuzë.

Nga dje, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit nuk ka asnjë fluturim për shkak të protestës së kontrollorëve ajrorë që kundërshtojnë përgjysmimin e pagave të lidhur me rënien e fluksit të trafikut ajror për shkak të pandemisë. Burimet financiare të Albcontrol-it, nuk varen nga shteti, por nga sasia e fluturimeve që kryhen në hapësirën ajrore të vendit. Ashtu si dje, edhe për sot janë një sërë fluturimesh të anuluara, në nisje e në mbërritje e përfshijnë ato me Beogradin, Pizën, Frankfurtin e Stambollin. Një listë më të detajuar e gjeni të publikuar në faqen e Top Albania Radio-s.

Ndërkaq, ende nuk ka informacione se kur do të nisin fluturimet. Qeveria thotë se është ngritur një Task Force e janë kontaktuar bashkëpunëtorë kyç, si dhe u informuan aleatët për problematikën. Vetë kontrollorët shprehen se nuk janë në grevë pasi nuk iu lejohet me Kod Pune por deklaruan paaftësi të përkohshme për shkak të gjendjes së stresit. Ndërkaq, për qeverinë, zhvillimet kanë prapavijë politike duke akuzuar se pas tyre qëndrojnë Meta e Berisha.