Celebrities Live From Tirana Music

Soni Malaj zbulon në TAR gjithçka rreth këngës “Autori” dhe jo vetëm!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar në studio këngëtarja e njohur Soni Malaj për të na folur rreth projektit të saj më të fundit muzikor të titulluar “Autori”. Si lindi ky projekt dhe bashkëpunimi me Ilir Beranin?

Nuk e kisha të thjeshtë për ta realizuar. Është një baladë e rrymës rrok-ballkanike që trajtohet në refren me dialekt geg. Ishte për mua pak skeptike kur Iliri më paraqiti tekstin dhe në refren ishte “Bone” por doli e veçantë. Personazhi femër i kërkon mashkullit mos të bëjë gabime, e dorëzuar tek ai i kërkon dashurinë, të bëjë diçka të bukur për të. Ja thotë në një mënyrë pak gangsta “bone” jo lutje. Ne jemi gjithnjë e më tepër të prirur drejt rrjeteve sociale, drejt marrëdhënieve sipërfaqësore. Kjo këngë tregon atë që dashuria është e pastër, pa kushte, pa interesa. Është shumë shpirtërore.

Prapaskenat nga studio… Soni shprehet:

Ka ndodhur një keqkuptim në kufi dhe kam qenë duke u kthyer për Tiranë pa e regjistruar fare si këngë. Puna e testit të vaksinës, e kisha dhe ndodhi një keqkuptim, kthehem për Tiranë dhe nuk e mora keq. Pastaj u sëmura. U bënë shumë pengesa dhe Iliri më tha me kaq pengesa do të dali shumë mirë kjo këngë. Unë nëse jam skeptike në lidhje me një këngë nuk e bëj. Nëse më pëlqen melodikisht e bëj.

Si lindi bashkëpunimi me Ilirin?

Ishte nje ftesë e tij në disa xhirime të Vitit të Ri. Më kërkoi të këndoja një baladë të Gilit, “Të fala nga Tirana” dhe kërkonte që ta realizoja këtë këngë. Kjo baladë u prit shumë mirë, mori jetë edhe njëherë si këngë, pati shumë sukses dhe Iliri tha këtë vit nuk do bësh diçka ‘remake’ por dua të kompozoj diçka enkas për ty. 

Rikthimi me Ardian Kastratit, producenti i këngës, “E vogla”, “Shko”, etj. Si ka qenë për Sonin ky rikthim?

Shumë emocional. Pas shumë viteve nuk u takuam më në Maqedoni sepse Ardiani dhe vëllai i tij kanë pasur studion e famshme që kompozuan atëhere të gjitha hitet për mua, hitet e bujshme të mes viteve 2000. U përqafuam, dëgjuam këngë, kujtuam gjëra të bukura, prapaskena muzikore të producentëve që nuk i dija. Impenjimi i tyre për një material për mua ishte shumë i madh. 

Si e ka pritur Ana, vajza e artistes këngën e re?

E pëlqen jashtëmase sidomos ajo pjesa ‘bone’. Mbesa ime bën një kërcim kontemporan me këtë këngë dhe e ka vënë një ditë 6 herë derisa i thonim boll mos e vendos më.(qesh)

Çfarë ka Soni për të thënë në lidhje me Festivalin e RTSH-së?

Me urimin e Krishtlindjeve më pyesin edhe: ‘A do marrësh pjesë në Festival?'(qesh). Eurovisioni e ka atë frymën rinore, ndoshta duhet më shumë për artistët më të rinj. Dëshirën e kam, edhe ndoshta e shtyrë më shumë nga fansat e mi por varet nga materiali. Nëse unë shkoj me personalitetit tim artistik është diçka që dhe është bërë aty. Me balad nuk shkoj sepse në ato 3 minuta nuk ka njeri nerva të dëgjoj baladë dhe ngelet pikëpyetje çfarë të sjellë një gjë që nuk është sjellë në Eurovision.

Çfarë nuk duhet të bëjnë sot artistët e rinj sipas Sonit?

Të hiqen sikur janë dikush tjetër. Në fillimet e karrierës ne frymëzohemi nga dikush por krijojmë individualitetin tonë. Të hiqen sikur janë një personazh tjetër është shumë e gabuar. Të mos këndojnë pa një lloj emocioni sepse i përcepton edhe publiku, të punosh dhe të punosh fort.