Rajoni

Sot Lista Serbe vendos largimin ose jo nga institucionet e Kosovës, Lajçak: Shmangni dhunën!

I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, e përshkruan si “të gjatë e të vështirë, por të drejtë”, takimin e mbrëmshëm me presidentin serb, Aleksander Vuçiç në Beograd. Sipas zyrtarit europian, palët ranë dakord që të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel, të zbatohen. Në një postim në Twitter, Lajçak shkruan:

Mbështetem në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve, për të treguar përmbajtje për siguri e stabilitet. Dhuna duhet të shmanget!

Deklaratat i bëri pak orë para se pjesëtarët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë të vendosin sot nëse do të largohen apo jo nga institucionet e Kosovës, në shenjë proteste për pezullimin e kreut të policisë në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriç. Ky i fundit refuzoi të zbatojë vendimin e qeverisë së Albin Kurtit për riregjistrimin e makinave me targa RKS-Republika e Kosovës.

Lista Serbe ka një post ministror në kabinetin e Kurtit, ndërsa në Kuvendin e Kosovës, kjo parti e cila gëzon mbështetje të madhe nga presidenti serb Vuçiç, përfaqësohet me dhjetë deputetë. Po sot, një takim lidhur me situatën në Kosovë do të zhvillojë edhe qeveria e Serbisë, madje me pjesëmarrjen e Vuçiçit.

Në fillim të muajit, Prishtina zyrtare nisi zbatimin e planit me tri faza për riregjistrimin e makinave, që targat e lëshuara nga Serbia të zëvendësohen me të Republikës së Kosovës, në veriun me shumicë serbe. Faza e parë përfshin këshillimin e shoferëve, e dyta shoqërohet me gjobë deri në 150 euro për drejtuesit e këshilluar më parë dhe e treta, targa provuese.

Lista Serbe pati paralajmëruar rezistencë të ashpër që në momentin kur të vendoset gjoba e parë lidhur me targat. Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill të vitit të ardhshëm e nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS në Kosovë.