Aktualitet

Sot në vend nis vaksinimi i të moshuarve me vaksinën ruse Sputnik!

Nis sot vaksinimi i të moshuarve me vaksinat ruse SputnikV që iu bënë dhuratë Shqipërisë. Prej dy ditësh, mjekët e familjes kanë njoftuar personat deri në 70 vjeç që do t’i nënshtrohen procesit. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico kërkoi nga qytetarët që të paraqiten në datën që lajmërohen.

Ndërkohë nesër nis vaksinimi masiv me vaksinat kineze SINOVAC. Në sheshin Skënderbej, do të ngrihet një nga qendrat më të mëdha të vaksinimit, ku do të përfshihen edhe Forcat e Armatosura. Edhe 200 mjekë të tjerë të Kosovës do të udhëtojnë sot për në Kukës për të marrë dozën e parë të vaksinës anti-COVID. Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

Ai ka thënë se 250 mjekët që u vaksinuan të shtunën e kaluar janë mirë me shëndet dhe se nuk kanë pasur ndonjë problem të theksuar, përpos reaksioneve normale. Për shkak se Kosova ende nuk ka arritur të sigurojë dozat e para të vaksinës, qeveria e Shqipërisë ka ofruar mbështetje.

Vaksinimi bëhet në Kukës për shkak se kompanitë që prodhojnë vaksinën nuk lejojnë që ajo të nxirret jashtë vendit të kontraktuar. Ndërkaq, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se me finalizimin e marrëveshjes për vaksinat që po blihen nga distributor i autorizuar, pritet të nisë javën e ardhshme vaksinimi masiv.