Aktualitet Sociale

Kujdestarë për të moshuar/Mbi 31 mijë pensionistë jetojnë të vetmuar!

Çdo ditë e më shumë shikojmë lajmërime ku kërkohen kujdestarë për të moshuar. Referuar të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të Censit të fundit, në vendin tonë janë rreth 200 mijë të moshuar me nevoja ekonomike, shëndetësore, sociale, etj. Rreth 31 mijë janë të vetmuar. Sociologu Gëzim Tushi:

Nuk janë pak, por janë 31 mijë të moshuar që jetojnë të vetmuar për shkak të emigracionit, u ka vdekur bashkëshorti ose bashkëshortja ose nuk janë martuar kurrë. Pjesa më e madhe e tyre kanë shtëpi, kanë pension, por kanë nevojë për një shërbim, si larja e teshave, gatimi, shoqërizimi, me mjekësinë, për të siguruar dhënien në kohë të ilaçeve. Kështu që lind nevoja për të pasur një kujdestar.

Por në përgjithësi, kujdestarët janë njerëz të zakonshëm, pa ndonjë formim të veçantë psikologjik ose social. Fakti që po rritet kërkesa do të thotë që duhet të mendojmë për trajtimin paraprak të tyre që të marrin disa njohuri e praktika për t’u shërbyer të moshuarve. Sociologu Tushi shton:

Nuk po them që kujdestarët duhet të shkojnë në universitet e të bëjnë shkollë nga e para, jo. Por fjala bie, meqë jemi tek Njësia Bashkiake 2, punonjësit socialë që shërbejnë në familjet e të moshuarve mund të trajnojnë kujdestarët si bëhet shërbimi nga mjeku, infermieri, psikologu, sociologu. Dhe mbi të gjitha, mendoj që kujdestarët e të moshuarve duhet të liçensohen./Top Channel