Film & Tv

Sot premiera zyrtare e “Killers of the Flower Moon”, Martin Scorsese: Film shumë i gjatë, por të pasuron jetën!

Filmi i fundit i Martin Scorsese, “Killers of the Flower Moon”, sot ka ditën zyrtare të shfaqjes në kinematë anembanë globit.  Premierat e 20 tetorit pritet të jenë të sukseshme e premtojnë, bazuar në faktin se kemi të bëjmë me një bashkëpunim të fuqishëm mes yjeve të kinematografisë hollivudiane.

Regjisori, aktorët e shkëlqyer, skenari marrë nga një “best-seller”, ndjeshmëria ndaj një teme që prek indianët e Amerikës si dhe buxheti që arriti në shifrën 225 milion dollarë, bënë që filmi “Killers of the Flower Moon” të pritej me padurim.

Bazuar në librin e pëlqyer të David Grann-it, si dhe me skenar të shkruar nga Eric Roth e Martin Scorsese, ngjarjet e filmit vendosen në Oklahomën e viteve 1920. “Killers of the Flower Moon” rrëfen vrasjet e njëpasnjëshme të një fisi indianësh, pasi në tokën e tyre zbulohet naftë. Realizimi është i gjatë, kërkon durim, por, regjisori Martin Scorsese shpreh bindjen se të pasuron jetën. Scorsese e ka lënë filmin të gjatë plot 3 orë e 26 minuta. Ndërkaq, apeloi:

Angazhohuni seriozisht për ta parë në kinema!

Sipas regjisorit të njohur, ky është një film i veçantë e nuk shqetësohet pse është shumë i gjatë. Aktorët protagonistë janë Leonardo DiCaprio, Robert De Niro dhe Lily Gladstone, por ka edhe emra të tjerë të njohur si Brendan Fraser, Jesse Plemons, Tantoo Cardinal, John Lithgow etj.

Fillimisht buxheti nga Paramount ishte rreth 160 milion dollarë, por me përfshirjen e emrave të tillë si DiCaprio dhe De Niro, shifra e pretenduar nga Scorsese arriti në 225. Ishte Netflix që bëri një ofertë deri në 215, por në fund u shfaq oferta e Apple Studios që e plotësoi shumën e kërkuar.