Aktualitet

Sulmi kibernetik, ndërpriten përkohësisht shërbimet konsullore!

Pas shtyrjes së regjistrimeve për klasat e para e të dhjeta, shtyrje e konfirmuar sot nga ministrja e Arsimit, Evis Kushi për shkak të sulmit kibernetik ndaj portalit e-Albania, pasoja ka edhe për shërbimet konsullore. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se për shkak të sulmit kibernetik ndaj platformës e-Albania, shërbimet konsullore online janë ndërprerë përkohësisht deri në një njoftim të dytë.

Në njoftimin për shtyp, MEPJ sqaron:

Sulmi kibernetik ka dëmtuar sistemin online, i cili mundëson aksesin e qytetarëve dhe strukturave përgjegjëse për aplikimin e dhënien e dokumenteve biometrikë për të gjitha konsullatat shqiptare në botë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është në kontakt të vazhdueshëm me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, e cila po punon për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës së pazakontë.

Po ashtu ky dikaster i bën thirrje qytetarëve të mirëkuptojnë gjendjen e përkohshme të mosaksesimit të shërbimeve publike.

Më herët, Kryeministria siguroi qytetarët se të dhënat e sistemeve të informacionit të shërbimeve qeveritare janë të sigurta e të paprekura.

Sistemet qeveritare kanë të gjitha back-up dhe janë të sigurta. Në këtë moment jemi duke verifikuar sistem pas sistemi që këto të fundit të jenë të sigurt në çdo element, përpara se të kthehen sërish online dhe në funksionalitet të plotë.  Paralelisht të gjithë aktorët institucionalë janë në gatishmëri të plotë dhe në komunikim të vazhdueshëm për hetim të thellë e të detajuar të këtij krimi kibernetik.  Sigurojmë të gjithë qytetarët se të dhënat e sistemeve të informacionit të shërbimeve qeveritare janë të sigurta dhe të paprekura.  Nuk ka vend për polemika politike aq kohë sa jemi përballë një armiku të përbashkët në këtë luftë kibernetike, ndaj të lëmë ekspertët të bëjnë punën e tyre në mënyrë që çdo sistem që rikthehet në punë të jetë funksional dhe mbi të gjitha i sigurt.