Aktualitet

“Të dorëhiqet kryeministri dhe Çuçi”, Protestuesit mblidhen te Ministria e Brendshme pas tragjedisë së Himarës; përplasen me policinë

Pas ngjarjes tragjike në plazhin e Potamit të Himarës, ku 7-vjeçarja Joanda Avdia u godit nga gomonia që drejtohej nga Arjan Tase, një grup qytetarësh janë ngritur në protestë. Ata janë mbledhur përballë Ministrisë së Brendshme, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçit.

Pjesë e protestës është bërë edhe opozita, mbështetësit e Sali Berishës dhe Partia e Lirisë. Gjithashtu qindra qytetarë janë bërë pjesë e protestës, me pankarta në duar dhe thirrje për drejtësi.

Mes tyre është vënë re dhe reperi i njohur Stresi, i cili më herët ka reaguar i revoltuar në rrjetet sociale, duke u shprehur se ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, dhe Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, duhet të japin dorëheqjen.

Protestuesit janë përplasur me policinë. Qytetarët e pranishëm në protestë po përpiqen të zhvendosen nga pedonalja Murat Toptani përpara oborrit të Ministrisë së Brendshme. Kjo solli edhe përplasjen e policisë me protestuesit.

Kujtojmë se më 2 gusht, Arjan Tase, drejtues në Policinë Elbasan dhe më pas i përjashtuar, goditi për vdekje me skaf një vajzë 7-vjeçe. Ai u arrestua dhe akuzohet për vrasje nga pakujdesia. Në manifestim pritet të kërkohet dorëheqja e ministrave Bledi Çuçi e Mirela Kumbaro dhe e numrit një të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Në shkallët e Kryeministrisë, u ndezën edhe qirinj si homazh për 7-vjeçaren Jonada Avdia.

Tek Kryeministria pas ngjarjes makabre te kryer nga një punonjës me detyra te larta në Policinë e Shtetit, i cili vrau me skaf një vajzë 7 vjeçe ne breg të detit. Të kerkojme dhe tregojme se kush është përgjegjësi dhe te kerkojme ne dritën e qirinjve, me nje buqete lulesh, me nje mesazh ne nje cope leter, pak dinjitet per veten, se e pafajshmja u largua….

Të kërkojme shkarkimin ose…

Dorëheqje e Ministrit te Brendshëm zotit Bledi Çuçi

Dorëheqje e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit zoti Gledis Nano

Dorëheqje e Ministres se Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

Ngushellime familjes Avdia për humbjen e dritës së tyre, zoti ju dhëntë forcë për të kaluar këtë dhimbje që ka tronditur thellë çdo bashkombas. Zoti qoftë me ju, e shpirti i engjëllit tuaj u prehtë qiell!

Nga 16 korriku, ky ishte rasti i tretë dhe më i rëndi. Në dy të parët në Jalë e Jonufër të Vlorës pati tre të lënduar, pushues të pafajshëm, mes tyre një fëmijë 7-vjeç. Ashtu si Jonada u përplasën nga gomone, ndërsa drejtuesit e tyre humbën kontrollin e mjeteve dhe pas ndalimit iu caktua masa e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Në bazë të ligjit “127/2020” për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese turistike dhe të argëtimit, në pronësi të operatorëve turistike, duhet të ushtrohen kontrolle nga Policia Kufitare dhe Autoriteti Portual. Për ata që kryejnë manovra të rrezikshme dhe nuk lëvizin brenda kufizimeve detare, ligji parashikon gjobë në masën 50 000 lekë deri në bllokim të mjetit lundrues.