Aktualitet

Meta: Çdo qytetar t’i bashkohet protestës për ngjarjen e Himarës!

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, shprehet se “çdo qytetar duhet t’i bashkohet protestës së sotme para Ministrisë së Brendshme, me thirrjen: “Nuk e vrau varka, por shteti””. Pas vizitës së ngushëllimit në shtëpinë e familjes Avdia, që dy ditë më parë humbi vajzën 7-vjeçe, Jonadën, të përplasur fatalisht nga një skaf me drejtues Arjan Tasen në Himarë, Meta deklaroi:

Çdo qytetar duhet t’i bashkohet kësaj proteste, jo vetëm për të shprehur solidaritetin me këtë familje fisnike, por njëkohësisht për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen, se nuk është e para që ndodh për shkak të papërgjegjshmërisë së zyrtarëve të shtetit.
Kemi pasur edhe fatkeqësi të tjera e në mënyrë që t’i japim fund këtyre fatkeqësive dhe që të kemi shtetin që parandalon, shtetin që mbron qytetarët e tij, të gjithë duhet të jenë sot në këtë protestë.

Lidhur me përgjegjësitë, ish-presidenti deklaroi:

Minimumi, të gjithë ministrat përgjegjës  për zbatimin e vendimit të Qeverisë duhej të jepnin dorëheqjen ose të ishin shkarkuar nga Kryeministri, bashkë me kryetarin e Bashkisë ku ndodhi kjo ngjarje kaq e rëndë.

Eshtë një rast i pangushëllueshëm, megjithëse jam i impresoniuar nga forca  e kësaj familjeje fisnike, sepse ishte një tragjedi që nuk ka asnjë lloj justifikimi, jo vetëm nga autori i papërgjegjshëm që e panë të tërë, por edhe nga shteti, qeveria, bashkia, pasi ekziston një legjislacion për sigurinë në plazhe, që nuk është respektuar në asnjë element të tij.

Eshtë vrasje e paralajmëruar, se kanë ndodhur raste të tilla edhe më përpara, sikurse ndodhën plagosje, që për fat të mirë nuk përfunduan me pasoja fatale të vdekjes e askush nuk e ka vënë ujin në zjarr.

Papërgjegjshmëri totale! Në momentin kur duhej të shprehej pendesa dhe marrja e vendimeve distancuese, në të njëjtin moment, na shpallet se Shqipëria na qenka e para sivjet në rajon për sigurinë e turizmin!

Vendimi është dhe nuk u zbatua, sepse këtu nuk zbatohet Kushtetuta, ligji, sepse ligjin e bëjnë të fortët dhe ajo pamja atje është pamja e shtetit brutal me qytetarët e thjeshtë e të pambrojtur, që rrezikohen nga papërgjegjshmëria dhe brutaliteti i shtetit të tyre.

Më herët gjatë ditës, për ngushëllime në banesën e familjes Avdia në Tiranë ishin edhe kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano e kryetari demokrat, Sali Berisha.