Auto & Moto Botë e Çuditshme Design

Të varfër por me ëndrra të mëdha, djemtë nga Vietnami ndërtojnë Bugatti prej balte!

Bugatti Chiron është një nga makinat më të kushtueshme në botë, me një vlerë që përafrohet në 3 milionë euro. Edhe me atë çmim aq të shtrenjtë, që i mundësohet vetëm një elite të vogël në botë, gjithsesi pronarët e pasur duhet të presin porosinë muaj të tërë, pothuajse një vit.

Por e njëjta koha i është dashur edhe 4 shokëve, me shumë pak para, që duke punuar me pasion dhe fantazi kanë ndërtuar një model që, të paktën nga larg, duket identik me automjetin luksoz. Djemtë nga Vietnami kanë postuar videon e krijesës së tyre, e ndërtuar pothuajse tërësisht me fibër xhami dhe baltë.

Në një vit djemtë të specializuar në qeramikë kanë punuar me vëmendje çdo detaj, ndërkohë që shoku i tyre inxhinier arriti të fuste në atë “vazo” gjigante një motor të vogël, të mjaftueshëm për të ecur në rrugët e fshatit të tyre. “Jemi të varfër, por kemi ëndrra të mëdha”,-thonë ata në videon e gjatë të punimeve, që ka arritur më shumë se 7 milionë shikime dhe komplimente të shumta.

Ndërkaq rikujtojmë se një makinë Ferrari është përzgjedhur si supermakina më e bukur e vitit 2022. Një juri ekspertësh në Paris i ka dorëzuar markës italiane çmimin “Grand Prize of Design”, për modelin Daytona SP3. Ferrari Daytona SP3 u prezantua në fund të nëntorit të vitit të kaluar. Nga kjo supermakinë do të prodhohen vetëm 599 njësi, që do të kushtojnë rreth 2 milionë euro secili.

Me Daytona SP3, Ferrari ka dashur të risjellë në jetë makinën ikonë të viteve 1960, me të cilën dominonte garën e qëndrueshmërisë, kundër Ford GT40, në pistën e Daytona. Makina ka një motor 6,5 litra me 12 pistona, motori më i fuqishëm i ndërtuar ndonjëherë nga Ferrari, i cili e bën makinën të arrijë një shpejtësi maksimale prej mbi 339 km/h.