Bota

Tre viktima nga bombardimet ruse në spitalin e maternitetin e Mariupolit!

Konfirmohen tre viktima nga bombardimet ruse në një spital fëmijësh e në maternitetin e Mariupolit në Ukrainë. Mes atyre që humbën jetën është edhe një vajzë e vogël ndërsa u plagosën 17 persona.

Ukraina kërkon ngritjen e një gjykate speciale për të hetuar krimet ruse të luftës. Prokurorja e Përgjithshme, Iryna Venediktova bëri thirrje për një “model të ri” në përpjekjet për hetimin e krimeve të dyshuara të luftës në Ukrainë. Ndërkohë, 39 vende i janë bashkuar padisë së Kievit kundër Moskës, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Sulmet ajrore kundër një termocentrali bërthamor, dyshimet për përdorim të bombave thërrmuese e të ashtuquajturave “bomba vakum” në zona të populluara, si dhe shënjestrimi i spitaleve, shkollave e zonave civile, gjithashtu po përshkruhen si krime lufte.

Rusia ka sulmuar 18 objekte shëndetësore që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, dy javë më parë. Shifrën e jep Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH.

Londra e quan “krim lufte” bombardimin e një materniteti dhe një spitali fëmijësh në Mariupol, në juglindje të Ukrainës. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e dënoi bombardimin, duke e cilësuar “të tmerrshëm”.
Në në tjetër zhvillim, Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se Rusia mund të përdorë armë kimike në Ukrainë.

Ndërkohë, në Antalia të Turqisë sapo përfunduan bisedimet mes ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov dhe homologut ukrainas, Dmytro Kuleba. Takimi u ndërmjetësua nga kryediplomati i Ankarasë, Mevlut Cavusoglu.

Pronari i klubit anglez të futbollit Chelsea, Roman Abramovich dhe gjashtë oligarkë të tjerë rusë janë sanksionuar nga Britania e Madhe. Në vendimin për sanksionim përfshihet ngrirja e aseteve, edhe e klubit të futbollit Chelsea. Abramovich ka qenë në qendër të kritikave pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, për lidhjet e tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Sanksionet vlerësohet të jenë rreth 20 miliard dollarë.