Sport

“U ndjemë të tradhtuar”/ Chelsea lëshon deklaratën e bujshme për Marescën: Asnjë nuk do të ndryshojë trajnerin në mes të sezonit, tani besojmë te Alonso

Në të njëjtën kohë që Manchester City zyrtarizoi emërimin e Enzo Marescës si trajner të ri, Chelsea publikoi një deklaratë të ashpër ndaj teknikut italian, pa e përmendur asnjëherë me emër.

Klubi londinez bëri të ditur se që në vjeshtën e vitit të kaluar ishte informuar nga ish-trajneri se ekzistonte mundësia që ai të pasonte Pep Guardiolën në fund të sezonit.

“U bë e qartë për ne se ai ishte plotësisht i përqendruar në ndjekjen e kësaj mundësie, pavarësisht se ishte i lidhur me një kontratë afatgjatë, të cilën nuk kishte të drejtë ta ndërpriste”, thuhet në deklaratën e Chelsea-t.

Klubi shton se në dhjetor të vitit 2025 trajneri dha dorëheqjen në mënyrë të papritur, duke shkaktuar zhgënjim të madh.

“Natyrisht, u ndjemë të tradhtuar, sepse ishte e vështirë të besonim se mendja dhe zemra e tij ishin te një klub tjetër, edhe pse kishte ardhur te Chelsea vetëm një vit më parë. Asnjë klub nuk dëshiron të ndryshojë trajnerin në mes të sezonit. Megjithatë, për të mbrojtur lojtarët, tifozët dhe identitetin e klubit, nuk kishim zgjidhje tjetër veçse të pranonim dorëheqjen e tij”, vijon reagimi.

Në fund, Chelsea konfirmoi se është arritur një marrëveshje me Manchester Cityn për pagesën e një dëmshpërblimi prej 17 milionë paundësh për lirimin e Marescës. Gjithashtu, sipas klubit, është arritur edhe një marrëveshje konfidenciale me vetë trajnerin, i cili gjithashtu do të paguajë një dëmshpërblim.

Chelsea e mbylli deklaratën duke shprehur besimin te trajneri i ri, Xabi Alonso, duke e cilësuar atë si një trajner me inteligjencë të jashtëzakonshme futbolli dhe integritet të lartë profesional, i aftë për t’i rikthyer klubit sukseset që tifozët presin.