Aktualitet Rajoni

Turi ballkanik i Ramës, Kurti: Me të takohem vetëm në mbledhjen e dy qeverive!

Turi ballkanik i kryeministrit Edi Rama, nesër me ndalesë edhe në Prishtinë, në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit në muajin tetor, Albin Kurti thotë se është i gatshëm të takohet vetëm në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

Në mënyrë që marrëveshjet e dakordësuara të mos mbeten në sirtar, i kam propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen këtë javë, të mbajmë dhe një mbledhje të përbashkët. Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm e në Ballkan nuk ka liderë si kryeministri i Kosovës që e ka mbështetur e vazhdon ta mbështesë.

Për Albin Kurtin, nuk “lëngon” raporti Kosovë-Shqipëri për faktin që nuk takohen kryeministri i Kosovës dhe ai Shqipërisë, por sipas tij, “për shkak se mbledhjet e dy qeverive janë anuluar pa arsye”. Shefi i qeverisë së Prishtinës ritheksoi gatishmërinë që të takohet me kryeministrin Rama, vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive.

Në një deklaratë për gazetarët, vuri në dukje se është pro zhvillimit të zgjedhjeve të parakoshme në veri të Kosovës, por shtoi nuk mund të garantojë pjesëmarrjen e Listës Serbe. Kurti tha se ndërkombëtarët nuk arritën t’i plotësojnë premtimin që Lista Serbe të hyjë në zgjedhje.

Unë besoj se kemi treguar gatishmërinë dhe investimin tonë maksimal për de-eskalim. Eskalimi po ndodh në territorin e Kosovës e normalisht që i intereson Beogradit. Zgjedhjet e parakohshme janë ato që e largojnë kryetarin nga mjedisi i komunës.

Më shumë se tre të katërtat e ekstremisteve të dhunshëm të identifikuar janë në liri. Zgjedhjet e parakohshme duhej të përgatiteshin. Unë i kam lutur faktorët ndërkombëtarë. Mua, ndërkombëtarët më kanë premtuar se po e pranuam aneksin e zbatimit në Ohër, Lista Serbe merr pjesë.

Unë dua pjesëmarrje të serbëve, por nuk mund ta detyroj Listën Serbe të marrë pjesë. Lista Serbe po rrëshqet në shkelje të ligjit, që organet tona të sigurisë të shpallen terroriste. Ndërkombëtarët nuk kanë arritur ta plotësojnë premtimin ndaj meje që të merrte pjesë Lista Serbe. Unë jam për zgjedhje të parakohëshme. Por, në anën tjetër, nuk ke asnjë gram garanci që në zgjedhjet e parakohshme të mos përsëritet 23 prilli.