Travel

Turizmi në vend, Shqipëria në nivelin e Greqisë dhe Kroacisë

Prestigjiozja britanike “The Times” i ka dedikuar një artikull turizmit shqiptar, duke e renditur krahas Malin e Zi, Greqinë dhe Kroacinë.

“Pamja magjepse plazhesh dhe ushqime të lira. Një Shqipëri që po i largohet reputacionit të lidhur me krimin e organizuar. Një vend që po krahasohet me Greqinë dhe Kroacinë teksa turizmi po i rikthehet normalitetit pas pandemisë”, shkruan The Times në materialin dedikuar turizmit në Shqipëri.

Videot në rrjetin social “TikTok” që shfaqin pamje të Ksamilit, një resort plazhesh me ujëra të kaltra janë parë më shumë se 60 milionë herë, shkruan prestigjiozja britanike.

Artikulli është shpërndarë dhe nga kryeministri Rama, i cili thotë se falë shtimit të udhëtimeve me linja direkte, numri i turistëve britanikë në Shqipëri gati është 3-fishuar brenda vitit.

Shqipëria po kthehet në destinacionin turistik për t’u vizituar gjatë një krize globale çmimesh. Sipas të dhënave të INSTAT, rreth 670 mijë shtetas të huaj kanë hyrë në territorin shqiptar në periudhën Janar-Mars, shifër 30% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas operatorëve të industrisë së turizmit, këta vizitorë do të kenë një impakt të ndjeshëm në sezonin turistik.

Shqipëria ofron çmime të përballueshme për turistët por cilësia e shërbimeve mbetet ende dobët. Vendi nuk po e shfrytëzon kështu potencialin e plotë dhe aktualisht mund të konkurrojë Kroacinë apo Greqinë.

Ndryshe nga viti i shkuar, ku ishin shqiptarët nga rajoni që zunë peshën kryesore të turistëve të huaj në vend, shifrat e para të këtij viti tregojnë për një rizgjim të interesit nga ana e italianëve dhe grekëve, ndërsa janë afruar më të shumtë edhe vizitorët nga vende si Anglia apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.