Sport

‘Ujë më mirë’, gjesti i Cristiano Ronaldos i kushton Coca Colas 4 miliardë dollarë

Cristiano Ronaldo ka bërë një gjest të pazakontë, teksa është ulur përballë gazetarëve në një konferencë për shtyp. Kapiteni portugez pa dy shishe Coca-Cola përballë tij dhe i largoi menjëherë.

Ky veprim i ka kushtuar shumë kompanisë së ‘Coca Colas’. Menjëherë pas deklaratës së Ronaldos dhe vëmendjes mediatike që mori ajo, vlera e aksioneve të gjigantit të pijeve ka rënë me katër miliardë dollarë, pasi Christiano largoi nga tavolina dy shishet.

Ylli i Juventusit konsumon produkte të shëndetshme, të ndara në 6 vakte, në përpjekje për të qenë në një nivel të lartë në fushë dhe absolutisht nuk ka vend për sheqer në jetën e 36-vjeçarit.

Kapiteni i Portugalisë u duk sikur u ofendua, kur pa shishen e Coca Cola-s, në një konferencë shtypi para ndeshjes të së martës në Euro 2020, me Hungarinë.

Futbollisti kapi shishet dhe i largoi nga tryeza e tij dhe më pas mori ujë. Madje, nuk hezitojë t’u drejtohet gazetarëve, me bidonin e ujit në dorë: “Pini ujë!”

Pas këtij gjesti, ylli portugez ka tërbuar UEFA-n duke ‘sulmuar’ sponsorët kur ai largoi dy shishet e Coca-Cola-s që i kishin vënë përpara. Kompania është një sponsor zyrtar i turneut dhe e kishte produktin të ekspozuar gjatë konferencës për shtyp, por futbollisti portugez u revoltua teksa pa shishet përpara tij dhe i largoi.