Bota

Ukraina akuza rusëve për vrasje e tortura të punonjësve të centralit Zaporizhja!

Numri një i Enerhoatomit, Agjencisë për Energjinë Bërthamore të Ukrainës, akuzoi trupat pushtuese ruse në centralin e Zaporizhjës për torturimin e vrasjen e disa punonjësve, si dhe për rrëmbimin e 200 pjesëtarëve të stafit. Presidenti i Enerhoatomit, Petro Kotyn, i tha gazetës gjermane “Funke” se ai nuk ka dijeni se ku gjenden disa prej punonjësve të rrëmbyer.

Këto akuza vijnë në kohën e raportimeve për bombardime të reja përreth gjashtë reaktorëve të centralit, më i madhi në Europë, teksa komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësimet për një katastrofë të mundshme bërthamore.

Petro Kotyn deklaroi se “forcat pushtuese po kontrollojnë stafin e centralit për të kuptuar nëse janë besnikë të Ukrainas apo Rusisë. Sipas tij, “të gjitha këto abuzime e kanë bërë shumë të vështirë për një mijë punonjësit të cilët ende gjenden në Zaporizhja, që të punojnë në mjediset e impiantit, ndërsa apelet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve e kanë në fokus”. Madje, shqetësimin për gjendjen e tyre nuk e fsheh as Kina.

Afro 11 mijë persona punonin në Zaporizhja para se centrali të binte në duart e rusëve, në mars të këtij viti, disa ditë pasi Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, në datën 24 shkurt.

Gjatë kësaj jave, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore raportoi se inspektimi i fundit në Zaporizhja tregoi se në këtë central ka një situatë të paqëndrueshme e se duhen ndërmarrë “masa urgjente” për të shmangur një aksident bërthamor. Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se mungesa e stafit dhe stresi me të cilin përballen punonjësit, rrezikojnë që të shkaktojnë edhe probleme në funksionimin e centralit.

Dy prej 14 inspektorëve të OKB-së po vazhdojnë të qëndrojnë në Zaporizhja për të monitoruar situatën e sigurisë. Një ditë më parë, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore raportoi se “sulmet dëmtuan linjat elektrike të Zaporizhjës”, duke shtuar se “këto dëme minojnë sigurinë bërthamore në uzinë”.