Botë e Çuditshme Tech

Unaza inteligjente që do të monitorojë rrahjet e zemrës dhe problemet me gjumin!

Unaza Galaxy e Samsung do të jetë një pajisje e veshur me veçori që do të monitorojnë shëndetin e përdoruesit. Këto përfshijnë rrahjet e zemrës dhe problemet me gjumin, ndërsa unaza inteligjente pritet t’u japë përdoruesve një rezultat gatishmërie për ditën e tyre.

Me pak fjalë, pajisja e re e Samsung ofron kryesisht disa funksione që ekzistojnë tashmë në orët inteligjente, por në një formë më elegante. Kreu i ekipit të shëndetit digjital të Samsung, Hon Pak, foli për përpjekjen e parë të kompanisë në unazat inteligjente, si dhe mendimet për një abonim në aplikacionin ‘Samsung Health’ dhe vizionin për një ‘trainer’ të asistuar nga AI.

Ai tha se unaza është e pajisur me sensorë që mund t’i ofrojnë përdoruesit matje të rrahjeve të zemrës, ritmit të frymëmarrjes, sa shumë lëviz gjatë gjumit dhe sa kohë i duhet një personi që të bjerë në gjumë pasi të jetë në shtrat. Ndërkaq, ai shtoi se Galaxy Ring do t’i japë përdoruesit një “rezultat vitaliteti” i cili mbledh të dhëna rreth gatishmërisë fizike dhe mendore për të parë se sa produktivë mund të jenë.