Aktualitet

Vdekja e 7 vjeçares në Potam, reagon politika: Mungesë e sigurisë në plazhe, të shtohen kontrollet!

Disa figura politike në Shqipëri kanë reaguar për ngjarjen e mesditës së sotme në Himarë, ku një fëmijë 7 vjeç humbi jetën pasi u përplas në breg të detit nga një gomone me drejtues Arjan Tasen, shef i policimit në Elbasan.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano përjashtoi nga Policia drejtuesin e gomones, ndërsa pezulloi nga detyra Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Shpëtim Hasanaliaj.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se shkak për ngjarjen është bërë mungesa e sigurisë në plazhe. Po ashtu, Sali Berisha ka akuzuar se nuk ka siguri në plazhe duke e konsideruar krim, vdekjen e fëmijës. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka ka akuzuar shtetin për ngjarjen e sotme.

Reagime ka pasur edhe nga deputeti socialist Erion Braçe i cili tha se “të pasurit në Shqipëri janë larg normales”. Po ashtu, deputeti socialist Petro Koçi ka thënë që s’duhet të ketë skafe në plazhe. Një tjetër reagim ka ardhur nga deputetja Flutura Açka, e cila u shpreh se qveria duhet të japë dorëheqjen e qeverisë.

Ngjarja ndodhi në Potam të Himarës, rreth orës 14:00. Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte jashtë shtetit me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime. Drejtuesi i gomones është shefi i policimit në komunitet në Elbasan, i identifikuar si Arjan Tase dhe është shoqëruar në polici ku drejtuesi i prokurorisë, Aurel Zarka ka urdhëruar arrestimin e tij.