Aktualitet

Tragjike, skafi përplas për vdekje fëmijën 5 vjeçar në Potam

Një tjetër tragjedi nga pakujdesia ka ndodhur ditën e sotme në Himarë, aty ku raportohet se një skaf ka aksidentuar një të mitur, i cili ka ndërruar jetë.  I mituri ishte duke u larë në det ku është përplasur fillimisht nga pjesa ballore e skafit dhe më pas trupi i tij është prerë nga helikat.

Bëhet fjalë për një fëmijë 5 vjeçar.

Aksidenti ka ndodhur në zonën e Potamit dhe drejtuesi i mjetit lundrues është shtetasi A.T. banues në Himarë, i cili është arrestuar.

Deklarata e policisë

Sot, rreth orës 14:00, në plazhin e Potamit, shtetasi A. T., duke drejtuar një mjet lundrues tip skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur një fëmijë rreth 5 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë dhe po kryhen procedurat për arrestimin e tij.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.