Aktualitet

Votova Hoxhën më doli Suli, kandidati i “BF” për Kamzën, Arjan Hoxha kërkon përsëritje të votimeve në 10 qendra!

Për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve në Kamëz ku u votua dhe u numërua elektronikisht e fitoi socialisti Rakip Suli, Forumi Rinor pranë Koalicionit “Bashkë Fitojmë” protestoi para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Protestuesit i drejtoi kandidati i “Bashkë Fitojmë” për Kamzën, Arjan Hoxha i cili hodhi akuza se rezultati i 14 Majit ishte i manipuluar dhe i programuar në votimin elektronik për bashkinë që është pjesë e qarkut Tiranë. Hoxha tha se do të kërkojë nga KAS që të ngrihet një grup ekspertësh të pavarur, për të verifikuar pretendimet se rezultati ishte i paracaktuar, se sipas tij shumë qytetarë të Kamzës e kanë të dëshmuar këtë.

Në Kamëz ka prova nga më të ndryshmet. Nuk ka ndodhur që në të gjitha qendrat e votimit kandidati të dalë humbës. Rezultati ishte i paracaktuar. Si ka mundësi? Çfarë ndodhi në Kamëz që këto vota u përmbysën në krahun e kundërt? Kjo është formulë dhe rezultat i paracaktuar. Në Kamëz e ndjejnë veten të tradhtuar e asnjë nuk ndihet i përfaqësuar me vullnetin dhe votën e lirë. Do të denoncojmë. Në çdo qendër votimi kishte grupe në to.

Në lidhje me provat, Hoxha deklaroi se ka disa pamje filmike, shkëmbime në komunikim mes individëve.

Votova Hoxhën e më doli Suli. Kishte disa që thonin: nuk votova se nuk punoi. Ata bënin dorëzim të kontrolluar me patronazhistë. Shumë vota janë klikuar nga operatorët dhe jo nga votuesit. Shoqërimin e kanë bërë ata që ishin jashtë. Dhe unë jam lejuar vetëm t’i përshëndes e të qëndroj larg.

Unë e sfidoj Rakip Sulin që të vendosen në 10 qendra, fletë fizike votimi dhe nëse fiton ai, unë i shtrëngoj dorën e tërhiqem nga gara ime politike.

Në rezultatin e votimeve elektronike në Kamëz, Rakip Suli u shpall fitues me 27 mijë e 926 vota, ndërsa Arjan Hoxha arriti të merrte vetëm 16 mijë e 341.

Ndërkaq, Policia e Shtetit kishte marrë masa për të garantuar rendin dhe sigurinë në këtë protestë të paralajmëruar si paqësore.