Celebrities Film & Tv

“Wonka” i ëmbël si çokollata e magjistarit Willy me një interpretim t’mjalt nga Timothée Chalamet.

Ideja për të realizuar një parathënie të historisë së famshme të Roald Dahl – “Charlie and the Chocolate Factory” (Çarli dhe fabrika e çokollatës) (1964) në të cilën fëmijët vizitojnë fabrikën e magjishme të çokollatës së Willy Wonka ku punojnë si skllevër Umpa Lumpat, në një epokë kur libra e filma po censurohen dhe përpunohen për të qënë më të pranuar o të pranueshëm, mund të tingëllojë shumë e panevojshme dhe e rrezikshme. Por në duart e dy mbretërve të rinj të kinemasë britanike, skenaristit Simon Farbaby dhe skenaristit e regjisorit Paul King (të cilët sollën pakëz magji në ekranin me madh me ‘Paddington’.) kjo histori që i paraprin asaj që njihet është spektakolare plot  gaz dhe hare.

Timothée Chalamet është vërtet i dashur e i butë në rolin kryesor, një Wonka i njomë por me asgjë mangët nga personazhi që të gjithë njohin. Ai shkon në Parisin e para luftës për të [ri] shpikur veten e tij si një çokollatë-bërës i jashtëzakonshëm bazuar në recetën magjike të trashëguar nga nëna e tij (interpretuar nga Sally Hawkins). Me ide të çmendura, të pamendueshme, tejet origjinale, ai do të prishë monopolin e tregut të çokollatave duke u bërë kështu armiku i më shumë së një bosi çokollatash. E keqja vjen bashkë me të mirën, ndërsa armiqtë shtohen, po aq shtohen edhe miqtë që do e ndihmojnë Wonkan të triumfojë në misionin e tij për të bërë çokollata të pakrahasueshme për të sjellë lumturi në botën e hidhur prej natyrës.

Chalamet është lozonjar, ç’armatosës në hijeshinë e tij djaloshare me dialogje që rrjedhin dhe momente muzikore të pa sforcuara. Edhe pse nuk duket si një njeri që ha çokollata – gjykuar nga fiziku i tij i imët, kostumi i Wonkës i rri vërtet mirë. E ëmbël është çdo gjë në film, nga marrëdhënia e tij emocionale me nënën e munguar, tek miqtë e rinj që bën, deri tek vdekja e të këqinjve – death by chocolate, të vdesësh në një lumë çokollate, literalisht.

I diskutuar shumë në mediat online për rolin e Umpa Lumpës (Oompa-Loompa) – të cilin e vesh Hugh Grant – qartazi jo një njeri i vogël – “Wonka” është një nga filmat familjarë më të sheqerosur të 2023, në çdo kuptim të fjalës – duke çliruar endorfinë njësoj si të ishe duke ngrënë më të mirën e çokollatave zviceriane,  për të gjithë moshat që e shohin, qoftë në poltronat e kinemasë apo në divanin e shtëpisë. Të tjerë protagonistë janë Matt Lucas, Paterson Joseph dhe Matthew Baynton, po ashtu edhe Rowan Atkinson (Mr. Bean), Calah Lane, Jim Carter në një ansambël që komplenton panoramën plot ngjyra të “Wonka”. Një rrugëtim i qashtër, melankolik i një personazhi në kërkim të dashurisë së humbur, në kërkim të vetes, një realizim për të cilin, me siguri vetë shkrimtari Dahl, do të ishte krenar.

Sigurisht ky nuk është një film që duhet marrë shumë seriozisht, xhanëm cila përrallë merret ashtu. Nuk i kam parë filmat e mëhershëm të Wonka (ai me Gene Wilder në 1971 dhe me ai me Johnny Depp në 2005), ky film më bëri të dua ti shoh, po aq sa të dua të ha pak më shumë çokollata se zakonisht, duke e ndarë me ata që dua – si sekreti i që e bën çokollatën magjike…