Aktualitet Bota

Zbulohen pamjet tronditëse brenda aeroplanit që u largua nga Kabuli!

Një fotografi e pjesës së brendshme të një aeroplani që largohet nga Kabuli po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale. Bëhet fjalë për aeroplanin ushtarak amerikan US Air Force C-17, i cili, siç shkruan Defense One, fluturoi nga Kabuli të dielën. Sipas Defense One, e cila mori fotografinë nga zyrtarët ushtarakë, 640 persona ishin të grumbulluar në aeroplan, shumë herë më shumë se sa pritej.

Aeroplani në foto thuhet se u ngrit në fluturim të dielën, një ditë para skenave të tmerrshme nga aeroporti i Kabulit, kur mijëra njerëz të dëshpëruar po përpiqeshin të gjenin ndonjë rrugëdalje nga vendi.

Ndërkohë ditën e djeshme, fatkeqësisht gjatë transportimit të popullsisë, shumë prej tyre kanë humbur jetën. Gjithashtu ushtria amerikane ka qëlluar në ajër për të neutralizuar turmën, por ka qenë e pamundur. 5 persona kanë humbur jetën, 2 prej tyre ranë nga avioni i cili ishte i tejmbushur dhe ishin kapur tek këmbët ndërsa 3 të tjerët kanë vdekur për shkak të të shtënave.

Rikujtojmë se, është bërë me dije se së fundmi Mbretëria e Bashkuar do të heqë dorë nga rregullat e kufirit lidhur me azilantët afganë që po përpiqen t’i shpëtojnë sulmeve talebane. Afganët tashmë do të mund të hyjnë në Britani pa pasur një pasaportë, deklaron Sekretari i Mbrojtjes.