Bota

Bota reagon pas ekzekutimeve publike në Afganistan!

Talebanët kryen dje ekzekutime publike të katër personave, numri më i lartë i ekzekutimeve brenda një dite që nga koha kur rimorën pushtetin, duke nxitur dënime nga grupe në mbarë botën. Zyrtarët lokalë talebanë konfirmuan se individët e akuzuar për vrasje u ekzekutuan para turmave të mbledhura në provincat perëndimore të Farahut, Nimrozit e Badgisit.

Dëshmitarë okularë në një nga këto ekzekutime dhe që folën në kushte anonimiteti për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë, thanë se ishin familjarët e viktimave që qëlluan drejt të akuzuarve.

Familjarët e të akuzuarve ofruan para’ që ata të mos ekzekutoheshin, por familjet e viktimave refuzuan. Njerëzit nuk i kuptojnë plotësisht këto çështje, që kanë ndikim të madh psikologjik, u shpreh një person.

Në provincën Nimroz, talebanët ftuan qytetarë, nëpunës civilë dhe personel ushtarak që të ishin dëshmitarë të një ekzekutimi në një stadium në Zaranj.

Një burrë u qëllua nga familjarët e viktimës. Ta shihje atë skenë ishte e tmerrshme. Askush nuk dëshiron të shohë një vrasje, edhe nëse thuhet se një gjë e tillë është ndëshkim hyjnor, deklaroi një banor.

Ekzekutimet që janë pjesë e interpretimit të Ligjit islamik nga talebanët e linjës së ashpër, përshkruhen nga regjimi si “qisas”, drejtësi ndëshkuese apo hakmarrëse.

Që kur morën pushtetin në gusht të vitit 2021, talebanët kanë rifilluar të aplikojnë ekzekutimet publike, duke rikthyer praktikat gjatë sundimit të tyre shtypës në vitet ’90. Deri tani, të paktën 10 persona janë ekzekutuar publikisht. Organizatat për të drejtat e njeriut thonë se këto ndëshkime përbëjnë një shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Sipas tyre, përdorimi i ekzekutimeve si spektakël publik është jo vetëm çnjerëzor, por gjithashtu kontribuon në krijimin e një kulture frike dhe traume në komunitetet, që tashmë kanë kaluar dekada të tëra lufte dhe dhune.

Në një deklaratë të postuar në X, organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International dënoi ekzekutimet, duke i quajtur “të neveritshme”.

Afganistan: Ekzekutimet publike, të neveritshme, të katër personave në provincat Nimroz, Farah dhe Badgis sot tregojnë për abuzimin alarmues të vazhdueshëm të talebanëve ndaj të drejtave të njeriut në shtet. Autoritetet de facto të talebanëve vazhdojnë të shkelin në mënyrë flagrante parimet e të drejtave të njeriut.

Bashkësia ndërkombëtare duhet të ushtrojë presion ndaj talebanëve për të ndaluar këtë shkelje të hapur të të drejtave të njeriut dhe për të ndihmuar në garantimin e respektimit të garancive ndërkombëtare në Afganistan”.

Talebanët pretendojnë se ekzekutimet janë bërë pas “hetimesh transparente dhe procedurash gjyqësore”, por Kombet e Bashkuara dhe disa organizata për të drejtat e njeriut i kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke theksuar mungesën e një sistemi funksional gjyqësor dhe mungesën e procesit të rregullt gjyqësor në gjykatat e talebanëve.