Rajoni

Zgjedhjet në veri të Kosovës, SHBA-të: Nuk ka kushte për mbajtjen e tyre!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se “aktualisht, nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës më 18 dhjetor”. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës “duhet të jetë prioriteti më i lartë”.

Kthimi nga dhuna dhe frikësimi, përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes, e rrezikimi i jetëve, kurrë nuk janë metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë!

Komentet vijnë një ditë pasi grupe qytetarësh serbë në veri penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar incidente me armë zjarri e granata.

SHBA-të i dënojnë këto akte dhe u bëjnë thirrje të gjithë të përfshirëve për përmbajtje!

Zgjedhjet në katër komuna me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç e Zveçan, u shpallën pasi në fillim të nëntorit, kryetarët e tyre dhanë dorëheqje. Kjo në shenjë kundërshtimi ndaj planit të qeverisë së Kosovës, për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila me mbështetjen e Beogradit zyrtar i drejtoi këto komuna, kundërshton zgjedhjet. Prishtina i dënoi incidentet e djeshme dhe kryeministri Albin Kurti paralajmëroi shtim të forcave në veri.

Zyrtarë të KQZ-së thanë se “në të tilla rrethana, nuk vazhdohet me planet e paracaktuara”. Kryetari Kreshnik Radoniqi:

E padrejtë të kërkohet nga zyrtarët tanë që të dërgohen në një vend ku ka pasiguri.

Nga Serbia thanë se “qëllimi i institucioneve të Kosovës është që t’i rrëmbejnë me dhunë katër komunat në veri”, ndonëse nuk sollën ndonjë provë për këto pretendime. Tensionet mes Kosovës e Serbisë nisën të rriten që në verë, kur qeveria Kurti njoftoi se në veri, nuk do të lejojë më makina me targa që i lëshon Serbia.

Duke kundërshtuar këtë plan që nisi të zbatohej më 1 nëntor, serbët e veriut dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror. Më pas, dy vendet arritën marrëveshje për çështjen e targave, në bazë të së cilës, Prishtina pezulloi planin për riregjistrimin e makinave. Beogradi u zotua se nuk do të lëshojë targa të reja për serbët në veri.