Aktualitet

Zjarret nuk tërhiqen, vatra aktive në Lezhë, Durrës e Kep të Rodonit!

Flakët që po djegin masivin pyjor në dalje të qytetit të Lezhës ndodhen shumë pranë banesave duke rrezikuar njërën prej tyre. Në terren ndodhen zjarrfikësit dhe autoritete të tjera, të cilat prej orëve të paradites po luftojnë me flakët. Situata është mjaft e vështirë, pasi aty pranë ndodhet dhe një pikë karburanti.

Kepi i Rodonit

Një zjarr me përmasa të mëdha të shkrumbojë hektarë të tërë me pyje prej dy ditësh në kodrat e Kepit të Rodonit dhe po përparon i favorizuar nga era e fortë.

Zjarri u fik një herë nga ana e zjarrfikësve por është riaktivizuar sërish sot. Në vendngjarje ndodhet reparti zjarrfikës i Durrësit por është e pamundur shuarja e flakëve ndaj kërkohet ndërhyrja nga ajri.

Aktualisht po punohet me mjete rrethanore por situata është kritike.

Durrës

Një vatër e re zjarri është shfaqur në varrezat e Durrësit.

Temperaturat e larta dhe ndezja e qirinjve nga familjarët që shkojnë të kujtojnë të dashurit e tyre dyshohet të jetë shkaku i zjarrit të rënë në varreza ditën e sotme.

Një pjesë e bimësisë që ka mbirë mes varreve ka marrë flakë dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të vënë nën kontroll situatën.

Përveç qirinjve që lihen ndezur mbi varre, dyshohet se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm për të hequr bimësinë e harlisur mes varresh dhe plehrat e shumta që ndodhen në varreza.