Aktualitet

Zyrtarisht, konfirmohet se TIMS u rikthye në 6 pikëkalime, përfshirë Rinasin, Kapshticën e Kakavijën!

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi informon se pas sulmit kibernetik të dy ditëve më parë, për të cilin sërish u akuzua Irani, u rivendos në punë sistemi TIMS në pikat e kalimit kufitar, Rinas, Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë dhe Kakavijë.  Ministri bën të ditur se në mënyrë të pandërprerë po vijon puna për rikthimin e sistemit TIMS në të tjera pika të kalimit kufitar. Çuçi thotë se “ekipi i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është asistuar edhe nga partnerët amerikanë”.

Përgëzime ekipit të IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për punën pa ndërprerje që nga minuta e parë e sulmit kibernetik, për të rivënë në funksionim sistemet tona dhe veçanërisht atë TIMS. Gjithashtu falënderoj partnerët amerikanë që kanë qenë pranë edhe në këtë rast e po bëjnë çdo përpjekje për ta bërë Shqipërinë sa më të sigurt. Prej mesnatës sistemi TIMS është rikthyer në funksion të plotë në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas. Po kështu është rivënë në punë edhe në pikat e tjera kufitare të vendit: Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë dhe Kakavijë. Aktualisht, ekspertët tanë po vijojnë punën e pandërprerë për rikthimin e sistemit TIMS në Pikat e tjera të Kalimit Kufitar si dhe po marrin masat nevojshme për të mos pasur më ndërprerje.

Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve që janë ndeshur me vonesa, Çuçi vë në dukje se është punuar prej momentit të parë kur u detektua sulmi kibernetik, për të garantuar mbi të gjitha paprekshmërinë e të dhënave dhe më pas për rikthimin në normalitet në kohën më të shpejtë të mundshme.

Që prej mbrëmjes së të premtes, më 9 shtator, sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit janë gjendur nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në mesin e muajit korrik. Autoritetet konfirmuan se nga të dhënat paraprake rezulton që sulmi të jetë kryer nga e njëjta dorë, që nënkupton Republikën Islamike të Iranit, vend me të cilin në mesjavë, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike e urdhëroi largimin e menjëhershëm të diplomatëve iranianë, brenda 24 orëve.