Gossip

Vajza e Tommy Lee Jones gjendet e pajetë në hotel luksoz, dyshohet mbidozë?

Një ngjarje e rëndë ka tronditur San Franciskon dhe botën e showbiz-it amerikan. Victoria Jones, vajza e aktorit të njohur Tommy Lee Jones, ka humbur jetën në moshën 34-vjeçare në rrethana dramatike, teksa ndodhej në një hotel luksoz të qytetit.

Sipas raportimeve të mediave amerikane Page Six dhe TMZ, ngjarja ka ndodhur në hotelin Fairmont, ku Victoria po festonte ndërrimin e viteve në shoqërinë e disa personave të tjerë.

Një dëshmitar ka njoftuar shërbimet emergjente duke deklaruar se ajo dyshohet se kishte konsumuar kokainë pak para se të humbiste ndjenjat.

Kur policia dhe ekipet mjekësore mbërritën në vendngjarje, e reja u gjet pa shenja jete në katin e 14-të të hotelit. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se buzët dhe thonjtë e saj kishin marrë ngjyrë blu, një tregues që lidhet shpesh me mungesën e oksigjenit dhe që ka shtuar dyshimet për një mbidozë.

Personat që ndodheshin me të kishin nisur menjëherë reanimimin, ndërsa stafi mjekësor vazhdoi përpjekjet për ta rikthyer në jetë, por fatkeqësisht pa rezultat. Victoria Jones u shpall e vdekur në vend.

Autoritetet e San Franciskos kanë konfirmuar se në dhomë nuk janë gjetur shenja dhune apo prova që të sugjerojnë një akt kriminal, si dhe nuk është sekuestruar asnjë mjet për përdorimin e drogës. Megjithatë, hetimet vijojnë dhe shkaku zyrtar i vdekjes do të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Jeta e Victorias ka qenë e shoqëruar nga probleme të shumta personale dhe përplasje me ligjin.

Ajo ishte arrestuar disa herë vitet e fundit, përfshirë një rast në qershor 2025 për dhunë në familje në Napa, Kaliforni, që përfshinte edhe abuzim ndaj një personi të moshuar. Në atë çështje ajo ishte deklaruar e pafajshme dhe pritej të dilte sërish para gjykatës këtë muaj.

Po ashtu, në prill 2025 ishte arrestuar për pengim të një zyrtari dhe për përdorim e posedim të substancave të ndaluara.

Victoria Jones kishte provuar për pak kohë edhe aktrimin në fëmijëri, por më pas u tërhoq nga jeta publike, duke zgjedhur një rrugë larg vëmendjes mediatike.