Health & Beauty

Heqja e vaksinës së Hepatitit B ndez alarmin te mjekët, Donald Trump përshëndet vendimin!

SHBA sapo ka marrë njërin prej vendimeve më të debatueshme të dekadës në shëndetin publik. Komiteti Këshillimor për Praktikat e Imunizimit (ACIP) votoi për heqjen e rekomandimit 30-vjeçar që të gjitha foshnjat të marrin vaksinën kundër Hepatitit B menjëherë pas lindjes. Ky ndryshim prek foshnjat që lindin nga nëna negative për virusin, ndërsa tek ato me nënat pozitive, politika mbetet e pandryshuar. Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një memorandum ekzekutiv që kërkon rishikimin e të gjithë kalendarit të vaksinimit të fëmijëve në SHBA, duke e krahasuar atë me praktikat e vendeve “të zhvilluara”.

Lëvizja është cilësuar nga ekspertët si ndërhyrje e drejtpërdrejtë e politikës në vendime që tradicionalisht i merr komuniteti shkencor. Sipas votimit të ACIP (8 pro, 3 kundër), që pritet të ratifikohet nga CDC: Foshnjat e nënave negative për Hepatit B: vaksina në lindje nuk është më rekomandim universal; vendimi merret nga prindërit dhe mjeku. Foshnjat e nënave pozitive: vaksinimi në lindje mbetet i detyrueshëm ligjërisht si rekomandim mjekësor. Fëmijët që nuk vaksinohen në lindje nuk duhet të marrin dozën e parë para moshës 2 muaj, një pikë që disa ekspertë e quajnë “dritare të rrezikshme pa mbrojtje”. Ky ndryshim vjen pas përbërjes së re të komisionit ACIP nga Sekretari i Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr., i cili zëvendësoi anëtarët e mëparshëm me persona kritikë ndaj vaksinimit universal në lindje.

Trump ka nënshkruar një memorandum që i kërkon Departamentit të Shëndetësisë dhe CDC-së të krahasojnë rekomandimet e vaksinimit të SHBA-së me ato të vendeve të zhvilluara, identifikojnë praktikat që konsiderohen “më superiore” dhe të përditësojnë kalendarin kombëtar të vaksinimit nëse provat shkencore e mbështesin ndryshimin. Shtëpia e Bardhë thekson se rishikimi duhet të bëhet duke ruajtur qasjen e familjeve në vaksinat ekzistuese dhe duke u mbështetur në prova shkencore ndërkombëtare. Ky është një pozicion i rrallë ku politika ndikon drejtpërdrejt strukturën e sistemit të vaksinimit në SHBA, i cili tradicionalisht udhëhiqet nga institucione shkencore si CDC dhe AAP (American Academy of Pediatrics).

Vendimi ka shkaktuar reagim të fortë te mjekët amerikanë. Testet e nënave gjatë shtatzënisë nuk janë gjithmonë të sakta. Disa gra nuk testohen fare. Testet mund të japin rezultat fals negativ. Hepatiti B përhapet edhe përmes briskut, gërshërëve, mjete me gjurmë gjaku, jo vetëm seksualisht apo me gjilpëra. Infeksioni në foshnjat çon në kronikim në 90% të rasteve, shumë më i rrezikshëm sesa tek të rriturit. Dr. Cody Meissner, një nga ekspertët më të njohur të vaksinimit pediatrik, paralajmëroi: “Vaksina është e sigurt dhe shumë efektive. Me këtë ndryshim do të shohim më shumë fëmijë dhe të rritur të infektuar.” Hepatologët shtojnë se heqja e vaksinimit universal krijon pabarazi, rrit konfuzionin te prindërit dhe forcon hezitimin ndaj vaksinave.