Gjatë natës pati reshje shiu me intensitet të lartë, që kanë shkaktuar prani uji dhe rrëshqitje inertesh në disa akse rrugore në qarkun e Gjirokastrës. Probleme u evidentuan në aksin Kardhiq-Delvinë, pranë tunelit të Skërficës, në aksin Tepelenë-Gjirokastër, në vendin e quajtur Shkalla e Zezë, si dhe në aksin Gjirokastër–Kakavijë, përballë fshatit Bularat.
Firmat kontraktore kanë ndërhyrë gjatë orëve të natës dhe mëngjesit, duke pastruar segmentet e prekura, të cilat aktualisht janë të qarkullueshme. Ndërkohë, Policia Rrugore ka vendosur sinjalistikën e nevojshme për orientimin e drejtuesve të automjeteve në zonat ku ka ende prani uji.
Niveli i lumit Vjosë ka arritur në 6.2 metra në urën e Memaliajt, ndërsa në urën e Përmetit është regjistruar në nivelin 4.4 metra. Nga njësitë vendore deri tani nuk janë raportuar problematika të tjera.
Në Bashkinë Memaliaj, përcjellëset e fiderave Miniera 1 dhe Maricaj vazhdojnë të jenë në kontakt me rrjedhën e lumit Vjosë, çka e bën të pamundur energjizimin e zonës.
Në Bashkinë Gjirokastër është stakuar fideri Radio (Kordhocë). Kontrolli i linjës në fushën e Kordhocës mbetet i pamundur për shkak të rrezikut për punonjësit.