Rajoni

Vazhdon numërimi i votave në Kosovë, Vetëvendosje kryeson me 40.83%!

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po kryeson me 40.83% apo 339.350 vota të fituara në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ky rezultat i publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bazohet në numërimin e 99.17% të vendvotimeve. Në të nuk përfshihen votat me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe votat nga jashtë vendi, të cilat do të numërohen më vonë.

Partia e dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 22.15% apo 184.087 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.59% apo 146.241 vota të fituara. Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, Konservatorët dhe Intelektualët kanë fituar 7.47% apo 62.066 vota.

Ndërkaq, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar ka fituar 4.43% apo 36.784 vota. Dje në orët e para, udhëheqësi i LVV-së, njëherazi kryeministri aktual, Albin Kurti, shpalli fitoren në zgjedhje.

Ai iu tha simpatizantëve të partisë, të mbledhur në sheshin kryesor të Prishtinës se “do t’i vazhdojmë punët e mira që i kemi nisur në katërvjeçarin e kaluar dhe do të bëjmë shumë punë të tjera”.

PDK-ja është shprehur e lumtur me rezultatin zgjedhor, duke e quajtur “rezultat të madh”. Ndërkaq, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë në paraqitjeje para mediave, deklaroi se ndonëse nuk është rezultati që ky subjekt ka pritur, do ta respektojnë.

Lista Serbe që ishte në garë me pesë parti të tjera nga radhët e komunitetit serb për dhjetë vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës për këtë komunitet, tha se i ka fituar të dhjeta. Megjithatë, njohësit e çështjeve politike thanë se ky rezultat krijon një situatë të paqartë lidhur me ndarjen e vendeve në Kuvendin e Kosovës, por edhe se kush do të jetë pjesë e ekzekutivit të ri.

LVV-ja gjatë fushatës ka përjashtuar mundësinë e formimit të koalicioneve paszgjedhore me partitë aktuale opozitare. LDK-ja dhe AKK-ja kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me partinë e Kurtit, ndërkaq PDK-ja nuk ka paraqitur “vija të kuqe” për koalicionet e mundshme paszgjedhore.